Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier deklaroi përpara gazetarëve se qeveria Kurti duhet që ta shtyjë vendimin për çështjen e dinarit. Ai shtoi se vetëm duke shtyrë vendimin për dinarin, partneriteti me SHBA do të mbetet i palëkundur.
“Ne do të shpresonim që Qeveria të jetë partneri ynë, këto janë çështje në të cilat kërkohet partneritet nga Kosova dhe nëse Qeveria e Kosovës do të ishte partner në çështje të tilla, do ta forconte partneritetin tonë. Por, nëse Qeveria e Kosovës nuk do partneritet në këto çështje, kjo do të ndikojë në cilësinë e partneritetit tonë”, tha ai.
Diplomati amerikan përsëriti se qeveria amerikane, si dhe qeveritë e vendeve si Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe, janë të shqetësuara për këtë rregullore të re të BQK-së, sepse ajo ndikon negativisht në pakicën serbe. “Ne të gjithë kemi shprehur të njëjtat shqetësime, që i ka pasur edhe Quinti. Ne dëshirojmë ta shtyjmë këtë urdhëresë, derisa të bëhet më shumë punë për të zhvilluar një plan dhe strategji që merr parasysh realitetet, shqetësimet e komunitetit dhe çështjet praktike. Duhet menduar sesi një individ që ka marrë para nga posta, tani duhet t’i marrë në tjetër formë”, tha ambasadori.
Hovenier u ankua se Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë një sqarim të mjaftueshëm publik, që ta shpjegojë procedurën e re. “Prandaj, përderisa absolutisht e respektoj, e mbështes dhe e mirëpres zbatimin e plotë të Kushtetutës së Kosovës dhe ne e njohim dhe respektojmë rolin e BQK-së – dhe në fakt SHBA-të i ndihmuan ato institucione që të konsolidohen; dhe natyrisht ne mbështesim përpjekjet për të shmangur krimin, pastrimin e parave e të tjera – jemi thellësisht të shqetësuar për mënyrën se si zbatohet kjo rregullore dhe nuk merr parasysh realitetin dhe shqetësimet e qytetarëve”, tha ambasadori amerikan, i vetmi që foli pas takimit me Kurtin.
Kur është fjala për mënyrën sesi Kurti iu përgjigj kërkesave të ambasadorëve, ai tha se do ta lërë Qeverinë e Kosovës të flasë vetë, sesi do ta rishikojë këtë rregullore. “Unë mund të flas vetëm në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës se ne duam një vonesë për vendimin, për të bërë më shumë punë për zbatimin, që është në përputhje me standardin evropian dhe duam të bindemi se ka mjaft edukim për këtë çështje”, përfundoi Hovenier.
I pyetur nëse e kishte diskutuar këtë çështje me liderët e opozitës, ai tha se “jo, nuk kam biseduar me ta”. Më 1 shkurt, Banka Qendrore e Kosovës filloi të zbatojë vendimin për ndalimin e qarkullimit zyrtar të dinarit serb në Kosovë./Alo -ZËRI/