Gazetari Artan Hoxha ka deklaruar këtë të premte se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka marrë të dhëna nga persona që kanë qenë bashkëpunëtorë të drejtësisë, të cilët kanë përdorur SKY rreth kodeve të disa personazheve të krimit, mes tyre Ervis Martinaj. Sipas Hoxhës, Martianj ka pasur disa telefona dhe nuk dihet se sa i kanë gjetur. Gazetari shtoi se SKY është përdorur përpos kriminelëve dhe nga politikanë.
Artan Hoxha: Prokuroria ka marrë të dhëna nga persona që kanë qenë bashkëpunëtorë të drejtësisë, të cilët kanë përdorur sistemin dhe ata i dinë kodet. Ai e di se çfarë nofke ka pasur për shembull Ervis Martinaj, i cili ka pasur disa telefona, nuk e di sa kanë gjetur, por një nga bashkëpunëtorët e drejtësisë e di se çfarë kodi ka pasur. Ai ia jep kodin Prokurorisë dhe Prokuroria kërkon në sistem me atë kod.
Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit të vitit 2022. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Edhe pse ka kaluar më shumë se një vit dhe afati 100 ditor i vendosur nga kryeministri Edi Rama për kryepolicin Muhamet Rrumbullaku, për zbardhjen e kësaj çështjeje, është tejkaluar, version zyrtar nuk po vjen. Fati i Ervis Martinajt është ende mister zyrtarisht, por janë dhënë sinjale që ai është ekzekutuar dhe zhdukur.