Në prag të ndeshjes Shqipëri – Serbi që luhet të shtunën në orën 20:45 në Tiranë, protagonisti i sfidës historike në Beograd (14 tetor 2014), Bekim Balaj ndau emocionet dhe përjetimet e asaj mbrëmjeje të paharrueshme, ku sulmuesi shkodran u godit me karrige në kokë nga huliganët serbë gjatë ndeshjes Serbi – Shqipëri.
Ai theksoi se përballja e radhës ka një tjetër peshë dhe rëndësi, ndërsa u bëri thirrje lojtarëve të tregohen të përmbajtur dhe të fokusuar për të arritur objektivin madhor; kualifikimin në Botëror.
Në ndeshjen e radhës kemi shanse për kualifikimin madhor në Botëror dhe Serbia është rivali ynë direkt. Kjo është një ëndërr për të gjithë shqiptarët dhe ky grup futbollistësh ka forcën për ta bërë realitet këtë.
Për ndeshjen në Tiranë djemtë duhet të jenë gjakftohtë, të ruajnë qetësinë dhe mos ndikohen nga atmosfera në shkallët e stadiumit, pasi ngarkesa emocionale është e madhe për një ndeshje të tillë. Një fitore do na vlente shumë”, tha Balaj.
Sulmuesi i njohur ishte pjesë e një takimi motivues me të rinjtë në Shkodër, në kuadër të edicionit “Ta tham n’Shkodër”, ku përcolli një mesazh inkurajues dhe frymëzues për brezin e ri.