Pas humbjes së radhës në zgjedhjet e 11 majit, ku nuk arriti të nxjerr as mandatin e tij të deputetit, Lulzim Basha ka mbyllur dhe selinë e partisë që krijoi dy muaj para zgjedhjeve.
Në ambientet që ndodhen në rrugën “Donika Kastrioti”, ka mbetur vetëm tabela me emrin e partisë Koalicioni Euroatlantik, ndërsa zyrat janë boshatisur dhe i janë dorëzuar pronarit.
Ndonëse nuk ka asnjë reagim zyrtar qoftë për të falenderuar edhe ata qytetarë që ia dhanë votën në 11 maj, me gjasë Basha e ka mbyllur aktivitetin e tij politik si dhe betejën për vulën e PD. Për këtë të fundit mbetet për t’u parë nëse do të dorëzojë një shkresë zyrtare në Gjykatën e Lartë për të hequr dorë edhe nga beteja ligjore, pasi defakto PD-në e ka humbur prej tre vitesh.
Basha në 11 maj kandidoi me listën e tij të kandidatëve në të gjithë vendin, ndërsa arriti të siguronte vetëm 19562 vota, të cilat ishin të pamjaftueshme për të nxjerr qoftë dhe një mandat deputeti.
Megjithëse ai ka mundur të kalojë pragun prej 1% të votave dhe përfiton lekë nga buxheti i shtetit përmes ligjit për “Partitë Politike”, Basha mesa duket ka zgjedhur mos të shpenzojë më shumë për zyra dhe mjete logjistike për të mbjtur hapur dyert e Euroatlantikëve./vna