Kryetari i Këshillit Kombëtar i Partisë Demokratike, deputet aktual dhe i rizgjedhur edhe për legjislacionin e ardhshëm, Edi Paloka deklaroi se zgjedhjet e 11 majit sollën konfirmimin e asaj që prej 12 vitesh ndodh në Shqipëri.
Paloka u shpreh se pa një qeveri teknike dhe pa Ramën në krye, nuk mund të ketë zgjedhje të barabarta dhe të lira. Sipas Palokës, kishte njëfarë shprese para se të hynim në zgjedhje, por u pa qartë se çfarë u bë dhe çfarë sollën zgjedhjet e 11 majit.
“Zgjedhjet e 11 majit sollën një konfirmim të asaj që po ndodh prej 12 vitesh në Shqipëri nën qeverisjen Rama, që ishte paralajmëruar prej nesh dhe jo vetëm prej nesh, të paktën në dy deklarata të partive popullore dhe atyre të qendrës së djathtë evropiane që përpara zgjedhjeve, që kishin bërë një analizë të të gjithë shkeljeve që kishin ndodhur paraprakisht. Pra, praktikisht nuk ka ndodhur gjë e re. E kam thënë unë që në krye të herës dhe jo vetëm unë, që me Ramën zgjedhje nuk mund të ketë. Nuk ndodh kurrë që do hysh në zgjedhje dhe të thuash do humb. Jo vetëm për militantët, por ishin disa faktorë që na dhanë shpresë, faktorë që nuk lidhej me atë çfarë do të bënte Rama. Vetëm qeveri teknike pa Ramën mund të bëhen zgjedhje në Shqipëri. Ajo çfarë ndryshoi ishte situata e brendshme te PD, sepse erdhëm nga një situatë para shkatërrimit. Rikthimi dhe bashkimi i PD, marrja e simboleve, fitorja e Trump në SHBA dhe afrimi me administratën e tij krijuan një frymë që dhanë shpresë. Ne e kërkuam këtë për të pasur zgjedhje të lira dhe në kushte të barabarta, sesa arrihet është tjetër gjë.
Është Rama ai që duhet të dorëzohet ose më mirë lëshojë për të krijuar një qeveri teknike. Por ai nuk është nga ata burra që pranon të hyjë në një garë si i barabartë, nuk ka hyrë kurrë, gjithmonë ka fituar pasi e ka parë kundërshtarin që është në tapet. Ajo që kemi thënë dhe e themi prapë është që pa një qeveri teknike dhe pa kryeministër Ramën nuk ka zgjedhje në Shqipëri. Kjo flitet shpesh, por unë kam qenë koherent në këtë pikë, edhe kur ishte Lulzim Basha kryetar. Për fat të keq është një histori që përsëritet. Kjo pyetje nuk më pëlqen. Sepse që Rama do i vjedhi zgjedhjet, dihet, është opinion kudo. Një popull që është 40% në varfëri ekstreme, natyrisht që do të thotë më jep lekët se do të haj bukë. Ky realitet njihet në Shqipëri. Pa përmendur pjesën e padukshme, këto që them janë që të gjithë i shohin dhe i konstatojnë. Paqja fiskale, ku përfituan 150 mijë njerëz, pavarësisht se del dhe i mohon më pas. Është blerje direkte publike. Po 100 euro që dha për pensionistët. Pastaj ajo e kanabisit, që është skandali më i madh, që ka shkelur vetë ligjin që ka miratuar, ka dhënë mijëra hektarë më shumë sesa parashikuar vetë në ligj. Të gjitha këto janë publike, shkelje me ligjin, shkelje me kodin. Është blerje publike e votës.”, tha ai.