E ftuar në emisionin Dekalog me Roland Qafokun në Dritare TV, Keda Kaceli, kandidate në Primare, foli gjerësisht për situatën aktuale të Partisë Demokratike, duke u ndalur kryesisht te figura e Sali Berishës.
Ajo e cilësoi Berishën si një misionar dhe hero të këtyre 35 viteve të tranzicionit politik, por nënvizoi se vetëm heroizmi nuk mjafton për ringritjen e PD-së.
“Nuk mund t’i mohojmë kontributet e Sali Berishës. Ai ka bërë epokën e vet – me të mirat dhe me gabimet që nuk mund t’i shmangim.
Ai është një figurë historike. Por, sot jemi në një moment tjetër. PD-ja duhet të reflektojë thellë dhe të hapet”, u shpreh Kaceli.
Duke iu referuar moshës së zotit Berisha dhe situatës juridike në të cilën ndodhet, Kaceli theksoi se pavarësisht bindjes së saj për rolin e tij si “misionar”, nuk është normale dhe as demokratike që një parti të mos respektojë statutin që kërkon largimin e një kryetari pas katër humbjesh radhazi.
“Statuti thotë qartë që kryetari që humbet duhet të largohet. Nuk është normale që kjo të anashkalohet.
Edhe nëse zgjedhjet nuk janë të ndershme, kjo nuk e zhbën përgjegjësinë e udhëheqësit për të reflektuar dhe hapur rrugë”, tha Kaceli.
Megjithatë, ajo shtoi se në PD ka figura me integritet dhe profesionalizëm të lartë që mund të japin një tjetër frymë e drejtim.
“Nuk është e vërtetë që në PD mungojnë figurat. Ka emra me CV të shkëlqyera, me vlera profesionale dhe morale.
Duhet të krijohet një hapësirë për këta njerëz që të marrin përgjegjësi dhe të ndërtojnë një PD të fortë, të qëndrueshme dhe ideologjikisht të djathtë”, tha ajo.
Kaceli theksoi nevojën për një reflektim të thellë brenda partisë dhe për një strategji reale të hapjes dhe reformimit të saj.