Humbja në zgjedhje, Çollaku: PD duhet të mbajë përgjegjësi, nuk mund të presim çfarë thotë dhe bën Berisha

Kreshnik Çollaku, kandidat i Partisë Demokratike për qarkun e Tiranës në zgjedhjet e 11 Majit, i ftuar në Report Tv për të komentuar zhvillimet e fundit pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

Çollaku ka thënë se i bashkohet pjesërisht qëndrimit të Berishës në lidhje me farsë, por nuk kursen as kritikat për kreun e PD-së.

“Unë i bashkohem qëndrimit të zotit Berisha që ato ishin një farsë, një farsë e përsëritur, mjerisht dhe tragjikisht një farsë e përsëritur për herë të katërt në Shqipëri. Qartësisht mazhoranca e Edi Ramës ka krijuar një industri, perfekte, thuajse perfekte të devijimit popullor,” u shpreh Çollaku.

Çollaku theksoi se opozita duhet të përqendrohet në dy beteja paralele, procesin e Berishës për evidentimin e fakteve, dhe një analizë kritike të brendshme.

“Opozita duhet të bëjë dy beteja, e para për këtë që ka nisur. Edhe unë e mbështes këtë proces të zotit Berisha, të evidentimit të fakteve, jo me retorikë politike, jo me dëshira. Po duhen prova dhe fakte dhe administrim i fakteve, por dhe denoncimi publik apo te ato që kanë mandat ndërkombëtar. E dyta duhet një analizë kritike e brendshme, ku humbëm dhe ku difektuam që të dështojmë për herë të katërt manipulimin e Edi Ramës.”-tha Çollaku.

Lajme të tjera |  "Vota e Diasporës, arritje"/ Arlind Qori analizon zgjedhjet: S’është problemi te Kodi Zgjedhor, ja pse fitoi Rama

Ai kritikoi vendimin e opozitës për të votuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

“Unë e kam paralajmëruar, me miratimin e këtij kodi elektoral, opozita lëshonte të paktën 12 mandate, për shkak të gjendjes politike të saj dhe për shkak të Kodit. Për mendimin tim, gabimi fatal i opozitës është që votoi ndryshimet në Kod.”- vijoi Çollaku.

Sipas tij, kandidatët e PD-së nuk punuan në grup dhe askush nuk mori përgjegjësi.

“Asnjë kandidat i opozitës nuk punoi në grup. Asnjë kandidat i PD-së nuk punonte dot në grup. Patjetër duhet të mbajnë përgjegjësi, të gjithë drejtuesit e PD-së, sepse nuk e njohën farsën dhe realitetin. Madje as që e denoncuan ata. Dilnin në mëngjes thoshin që opozita fitoi, votat janë në kuti dhe pastaj çfarë ndodhi.”-tha Çollaku.

Lajme të tjera |  Humbi garën me Tabakun dhe mbeti jashtë Kuvendit, Alimehmeti: Do ketë analizë dhe llogari brenda PD

Ai i konsideroi votat si personale të Berishës.

“Këto janë vota personale të Sali Berishës, kjo është ajo që mendoj. I ka marrë në ’97, i ka marrë në 2001 kundra gjykatave. Askush nuk ka lëvizur gishtin në PD të shtojë këtë votë. Kanë përdorur thjesht mekanizma brenda PD-së për të marrë vota nga Berisha.”-tha Çollaku.

Në përfundim, ai kërkoi një reformim të thellë të partisë.

“Nuk mund të trajtohet Partia Demokratike si parti parazitare, të presin çfarë thotë dhe çfarë bën Sali Berisha. PD duhet të lexojë veten.”-përfundoi Çollaku.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us