Edmon Spaho njofton largimin nga politika pas humbjes së Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Spaho, i cili ishte drejtues politik i Korçës – ku mandatet u ndanë 6 me 4 për PS-në, thotë se është i shokuar me rezultatin. Ai nuk arriti të siguronte një ulëse në Kuvend.
“Këto zgjedhje ishin të fundit të karrierës sime aktive në Parlament”, shkruan Spaho teksa falënderon të gjithë bashkëpunëtorët e tij demokratë.
Në fund ai uron që Partia Demokratike “të gjejë forcën për të kaluar gjendjen e rëndë ku ndodhet”.
Mesazhi i plotë i Edmond Spahos:
Të nderuar miq,
Jam i shokuar me rezultatin e zgjedhjeve të 11 Majit!
Këto zgjedhje ishin të fundit të karrierës sime aktive në Parlament.
Dëshiroj të falenderoj pafundësisht familjen time për sakrificat e mëdha që ka bërë gjatë 35 viteve për të më krijuar mundësinë të ndiqja pasionin tim.
Dëshiroj të falenderoj anëtarët dhe simpatizantët e Degës së PD Maliq dhe të Qarkut Korçë për mbështetjen e vazhdueshme që më kanë dhënë. Pa ata nuk do kisha arritur asgjë në politikë.
Dëshiroj të falenderoj më shumë mirënjohje qytetarët që më besuan dhe votuan gjatë 35 viteve dhe t’ju kërkoj ndjesë që nuk munda të bëj edhe më shumë për ta.
I uroj Partisë Demokratike të gjejë forcën për të kaluar gjendjen e rëndë ku ndodhet dhe të arrijë të rikthehet në shpresë për Shqipërinë.
Me shumë mirënjohje,
Edmond Spaho