Roland Ahmetsula një nga personat e arrestuar si i dyshuar për përfshirjen në masakrën e Don Boskos u lirua nga Apeli i Tiranës. Nga arrest me burg, Ahmetsula u la i lirë me masën e “detyrim paraqitje”. Avokati i tij Shkëlqim Mustafa dorëzoi prova që rrëzuan pretendimet e prokurorisë dhe çuan ne lirimin e Ahmetsulës.
Roland Ahmetsulaj u la në burg nga Gjykata e Tiranës, pasi u arrestua në kuadër të hetimeve për masakrën e ‘Don Boskos’ ku mbeti i vrarë Erion Çela, dhe u plagosën shtetasit Blerim Çela, Edmond Crroj, Arben Dani dhe Azbi Selimaj. Gjatë dëshmisë së tij në Gjykatë, Ahmetsulaj është shprehur se ai nuk ka asnjë lidhje me vrasjen, dhe se komunikimi i vetëm që ka pasur me Kevin Suçin, i cili është shpallur në kërkim, ka qenë për rregullimin e një makine.
“Nuk kam lidhje me ngjarjen. Dy ditë para vrasjes kam patur bisedën me Kevin Suçin për rregullim makine. Më ka marrë për makinën nëse është rregulluar ose jo”, tha para gjykatës së shkallës së parë i riu.
Si ndodhi atentati
Atentati i “Don Boskos”, më 4 Janar 2022, la pas 1 të vrarë dhe 4 të plagosur. Nga plumbat humbi jetën Erion Çela, si dhe u plagosën katër persona të tjerë: Blerim Çela, Edmond Crroj, Arben Dani dhe Azbi Selimaj. Kasandër Noga, i cili aktualisht ndodhet në burg në Belgjikë për atentatin ndaj Erion Hasanbelliut, në bashkëpunim me Kevin Zeneli (Suçi), i cili është ende në kërkim, kanë zhvilluar takime dhe biseda për të hequr qafe armikun e tij. Shënjestra ishte Geron Hasanbelliu dhe dy nipërit e tij. Kevin Suçi, kishte paratë dhe urdhërin për të vrarë, ndaj edhe kontraktoi dy vrasës me pagesë.
Fillimisht, vrasja është marrë përsipër nga vëllezërit Indrit dhe Gentjan Beqiraj, por pas disa kohësh ata janë tërhequr nga frika, ndaj edhe Kasandër Noga dhe Kevin Zeneli (Suçi) kanë kontaktuar persona të tjerë, të paidentifikuar deri tani, për të çuar deri në fund “misionin”. Kështu, më datë 4 janar të vitit 2022, Kevin Zeneli (Suçi), në bashkëpumim me dy persona të tjerë, ende të paindentifikuar, kanë qëlluar me armë zjarri drejt një lokali në Don Bosko, për të vrarë Hasanbellin, por ngatërruan objektiv, dhe si pasojë e të shtënave u vra Erion Çela dhe u plagosën katër persona të tjerë. 2 vite pas vrasjes, i vetmi që përfundoi në qeli është Roland Ahmetsulaj, i cili ka një njësi shërbimi që merret me riparim automjetesh, shërbim karrotreci, shit-blerje automjetesh.