Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar i revoltuar nga qelia, pasi mësoi se është dënuar dhe i ndalohet të kryejë ushtrime në ambiente të përbashkëta për 2 javë.
Në një postim në rrjetet sociale, Meta thotë se është dënuar për shkak se kishte komunikuar me mediat pa leje.
“Dënim i ri me Rregullore të ‘re.’ Sot u njoftova për një dënim të ri i bazuar mesa duket në një Rregullore të ‘re’.
Juristi i IEPV ‘Jordan Misja’ më solli për t’u njohur me dënimin e ri, normalisht siç shkruhej atje të marrë ‘njëzëri’ nga Komisioni Disiplinor, që të ndalohesha edhe 14 ditë nga ushtrimet fizike të përbashkëta.
Argumenti ishte se kisha shkelur në mos gaboj pikën c të pikës ç të Rregullores ku nuk lejohej komunikimi me mediat pa leje të posaçme nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve”, shkruan Meta, sipas të cilit kjo gjë nuk ekziston në rregullore.
I revoltuar, ish-presidenti ironizon autoritetet e paraburgimit duke thënë: “Këta që nuk pyetën as për lejet e posaçme që Prokuroria e Posaçme u dha zyrtarisht deputetëve të Partisë së Lirisë për të më takuar do më japin mua leje të posaçme për të folur kundër ‘Ramaduros’. Këta që nuk kanë lejuar asnjë gazetar vendas dhe të huaj që të më takojë do më japin leje të posaçme mua.”
Në fund, Meta sulmon kryeministrin Edi Rama duke thënë se “i pabesi e di se në mandatin e katërt karrigia e tij nuk ka më katër këmbë nga pesha e rënduar e vjedhjeve, korrupsionit dhe krimeve.”