Ilir Alimehmeti kërkon mandatin e Tabakut: Të rinumërohen votat në Tiranë

-Kandidati i partisë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit, Ilir Alimehmeti ka ankimuar rezultatin, duke kërkuar rinumërimin e votave në qarkun e Tiranës. Lajmi është bërë me dije nga vetë Alimehmeti, përmes një shkrese drejtuar KQZ-së, ku argumenton se rezultati me kandidaten që e prin në listën e hapur, Jorida Tabaku, është shumë i ngushtë.

Alimehmeti sqaron në dokument se, rezulton sipas tij një parregullsi në masën rreth 5% të votave të numëruara. Ai shton edhe faktin se vetëm në një qendër votimi, 27 vota preferenciale për të i janë kaluar një kandidati tjetër dhe atij i janë shënuar 0 vota në tabelën përmbledhëse.

Ankimimi në KQZ:

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, me vendimin nr. 1326, datë 24.05.2025, ka miratuar tabelat përmbledhëse për rezultatin e votimit në zonën zgjedhore Qarku Tiranë. Bashkëngjitur këtij vendimi, në tabelën përmbledhëse të rezultatit për subjektin tonë zgjedhor, rezulton se unë, Ilir Alimehmeti, kam marrë 18,128 vota si kandidat i listës së hapur, duke u renditur i dyti nga kandidatët e listës së hapur. Referuar numrit të përgjithshëm të votave të subjekteve sipas këtyre tabelave, nga listat e subjektit tonë zgjedhor mund të zgjidhet vetëm 1 deputet nga listat e hapura, që referuar parashikimeve të Kodit Zgjedhor me ndryshimet e bëra së fundmi, është kandidati më i votuar. 

Gjatë procesit të verifikimit të filmimeve të kamerave nga ana jonë, për një numër të kufizuar të cilat na janë vënë në dispozicion nga administrata e KQZ-së, janë vërejtur disa parregullsi që mund të ndikojnë në ndryshimin e rezultatit në mënyrë të ndjeshme. Në këto kushte, po paraqes këtë ankim pranë KAS, bazuar edhe në dispozitat e Kodit Zgjedhor. Duke pasur parasysh faktin që subjekti ynë ‘PD-ASHM’ ka marrë 164,316 vota, rezultati për kandidatët mund të ndryshojë, në kushtet kur diferenca midis meje dhe kandidatit të renditur përpara në listë është tejet e ngushtë, ose rreth 1.2% e numrit total të të gjitha votave të subjektit. Vetëm në QV 1834/00, rezulton se 27 vota preferenciale për Ilir Alimehmeti i janë kaluar një tjetër kandidati, duke u shënuar në tabelën përmbledhëse 0 vota.

Qendrat e votimit të mësipërme krijojnë bindjen se numërimi ka pasur problematika në të gjithë Qarkun e Tiranës, duke krijuar shkak për rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e të gjitha Qendrave të Votimit. Duke u bazuar në të dhënat e mësipërme, përfundimisht:

KËRKOJ:

Rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e të gjitha Qendrave të Votimit të Qarkut Tiranë;

Ndryshimin e Tabelës Përmbledhëse sipas rinumërimit dhe/ose rivlerësimit të votave.

Jorida Tabaku ka qenë e vetmja që ka siguruar një mandat në Partinë Demokratike përmes votës preferenciale, me 20,484 vota. Mjeku Ilir Alimehmeti, ka marrë 18,055 vota, por nuk ka arritur të fitojë mandat

Lajme të tjera |  NATO bie dakord për një program gjigant armatimi

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us