Ilir Alimehmeti: Votat e mia janë bio, koha për analizë dhe vendime në PD

Ilir Alimehmeti, kandidati i listës së hapur në Tiranë që doli i dyti pas Jorida Tabakut me mbi 18 mijë vota, ka qenë i ftuar në Report TV, ku ka dhënë komentet e tij të para pas përfundimit të procesit të numërimit.

I pyetur nëse ka pasur komunikim me Berishën, pas rezultatit të marrë, Alimehmeti është përgjigjur shkurt.

“Është shprehur vetë publikisht, kështu që nuk ka nevojë. E falënderoj për qëndrimin shumë korrekt”-ka thënë Alimehmeti.

Ai theksoi se e konsideron këtë rezultat një shprehje të qartë të vullnetit qytetar.

“Unë besoj shumë te demokracia nga poshtë lart. Kanë folur njerëzit shumë qartë. Njerëzit e dinë shumë mirë se cila është e duhura”-tha Alimehmeti.

I pyetur nëse është kontaktuar nga ndonjë prej kandidatëve të listës së mbyllur, Alimehmeti tha se është kontaktuar me disa prej tyre.

Lajme të tjera |  Kandidatët "anonimë" në Parlament, Petro Koçi: Do të jetë një minus për Shqipërinë

“Herë pas here po. Por ne duhet të shohim pjesën e madhe. Në këtë sistem elektoral mendoj unë dalin të gjithë të humbur. Jo vetëm kandidatët, por edhe njerëzit. Sepse sistemi është bërë gjithnjë e më i fallco dhe i largon të zgjedhurit nga zgjedhësit”-tha Alimehmeti.

Në emision, Alimehmeti përsëriti angazhimin e tij për demokracinë e drejtpërdrejtë.

“Unë kam qenë mbështetës i demokracisë së drejtpërdrejtë, ajo që kemi pasur 20 vjet më parë. Kam për borxh të ngre zërin tim, sepse është zëri i njerëzve. Më pyesin, ‘a je deputeti i zonës?’ Sepse ka shumë rëndësi ky fakt. Mazhoritari, për shembull, prodhonte një sistem më të fortë. Ky sistem i tanishëm u ka hequr njerëzve përfaqësuesin”-tha Alimehmeti.

Lajme të tjera |  Berisha: Nuk kam deklaruar se do e mbroj votën me kallashnikov! Ramën nuk e rrëzojnë ndërkombëtarët

Nga ana tjetër sa i përket të ardhmes në PD, Alimehmeti kërkoi reflektim nga drejtuesit.

“Unë kam hyrë në parti në prill të 2022-shit. Këto vendimmarrje janë bërë më përpara. I takon kryesisë së partisë dhe kryetarit të mblidhen bashkë, të bëjnë analizat dhe vendimet përkatëse. Mendoj se do të ndodhë shumë shpejt pas zgjedhjeve”-tha Alimehmeti.

Në fund Alimehmeti kishte dhe një mesazh dhe për Tabakun dhe për votat e tij:

“Po e përgëzoj meqë mu dha rasti dhe shpresoj të bëjë punën e saj. Ama ka një problem këtu me perceptimin. Ky është gabimi i këtij sistemi. Ne garën e kemi me kundërshtarin politik, por ky sistem na bën të konkurrojmë nga brenda vetes dhe rrudhemi. Votat e mia janë bio.”

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us