Dinamoja, zyrtarisht Dinamo Siti (City), rigjeti finalet nën drejtimin e trajnerit safi dinamovit, Ilir Dajës. Me fitoren emocionuese 4-3 ndaj Vllaznisë së Shkodrës në gjysëmfinalen e Kupës së Shqipërisë, si edhe me pjesëmarrjen në Final 4- ku praktikisht çdo ndeshje është një finale që vendos fituesin e kampionatit vendës, mund të thuhet me plot gojën se Ilir Daja e riktheu Dinamon te finalet e kupës dhe të kampionatit shqiptar.
Teorikisht blutë mund t’i fitojnë të dyja kompeticionet. Në 2010-n kryeqytetasit fitonin për herë të fundit një titull kampioni në Shqipëri. Në 2003-in regjistrohet edhe Kupa e fundit e fituar nga blutë. Këtë vit, Ilir Daja i ka rreshtuar në garë për të dy sezonet. 37 ndeshje i ka drejtuar për këtë sezon blutë, nga të cilat vetëm 7 herë ka dale i humbur, 16 fitore dhe 14 barazime.
Lojtarët e vetë më të përdorur për këtë sezon kanë qenë Baton Zabërgja, pretendenti për Top dhe Këpucë të Artë në kampionatin shqiptar, që 36 aktivizimet nën urdhrat e Dajës i ka shpërblyer me 15 gola dhe 10 asiste dhe Naser Aliji, që me Dajën rigjeti edhe thirrjen në kombëtare. 35 ndeshje është aktivizuar nga Ilir Daja këtë vit. Edhe për Zabërgjën, i grumbulluar pa aktivizim te Kosova, më herët kemi raportuar se ka një thirrje nga kombëtarja kuqezi. Nuk do të ishte çudi që të bëhej lojtari i dytë i Dajës në kombëtare.