Ina Majko emërohet zv.ministre e Shëndetësisë, Rama: E para përfaqësuese e komunitetit rom

Ina Majko, kandidate në zgjedhjet e 11 majit në qarkun e Vlorës dhe pjesë e komunitetit rom, është emëruar zëvendësministre në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Majko nuk arriti të zgjidhej deputete në Vlorë. Emrin e saj si ministre e parë, e zbuloi vetë kryeministri Edi Rama, i cili gjatë një takimi elektoral në Korçë, u shpreh se Majko edhe nëse nuk do të zgjidhet deputete do jetë pjesë e qeverisë.

Në një postim në rrjete sociale, Rama shkruan se ajo u zgjodh në krye të këtij posti pasi spikati në skuadrën e 11 majit, edhe pse nuk ia doli që të siguronte një vend në Kuvendin e ri.

“Ina Majko është prurja e parë, ndër shumë të tjera në vijim të rrugës së re që hapi 11 maji, drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian. Ajo sapo është zgjedhur zëvendës ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, pasi ka spikatur në skuadrën e 11 majit, mes atyre që edhe pse nuk ia dolën të fitonin një vend në Kuvendin e ri, ishin një vlerë e shtuar e PS2030 në përfaqësimin e komuniteteve e të grupeve të ndryshme të interesit. Ina erdhi në skuadrën tonë si një përzgjedhje nga komuniteti Rom dhe si e para përfaqësuese e këtij komuniteti në nivelin e kabinetit qeveritar në historinë e vendit, ajo do të mbulojë pikërisht çështjet e njerëzve më në nevojë të shoqërisë në fushën e Mbrojtjes Sociale. Historia e Ina Majkos është historia e një fëmije të rritur mes paragjykimesh e vështirësish të mëdha ekonomike dhe historia e një vajze të talentuar, plot energji e vendosmëri për t’ia dalë, e cila jo vetëm kreu me rezultate të larta studimet jashtë vendit dhe flet pesë gjuhë të huaja, por edhe u bë një zë i bukur i komunitetit të saj në platformat sociale. Uroj që Ina të jetë një vlerë e shtuar edhe në punën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e një mbështetje më shumë për familjet e fëmijët në nevojë,”-shkruan Rama.

Lajme të tjera |  SHKARKIME, PRESIONE dhe debate, zbardhet MESAZHI i Ramës gjatë mbledhjes në Bashkinë e Vlorës!

 

V E N D I M 
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Ina Majko emërohet zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us