Fredi Beleri ishte i pranishëm në inaugurimin e Konsullatës greke në Korçë ditën e sotme. Beleri është shprehur që sot është një festë pasi inaugurohet një ngjarje historike për qytetin e Korçës.
I pyetur nga gazetarët se cili do ishte qëndrimi i tij në Parlamentin Europian për kontestimin e zgjedhjeve që ka bërë opozita, Beleri është shprehur se beson te raporti i OSBE-ODIHR.
“Sot nuk kemi zgjedhje, është një ditë feste, inaugurohet një ngjarje historike për qytetin e Korçës. Është një godinë që nga sot do ta ketë Konsullata Greke, e cila do të jetë një institucion që do të përparojë marrëdhënien e dy shteteve.
Sa për zgjedhjet, unë besoj se raporti i OSBE-ODIHR dhe vëzhguesve evropianë është fare i qartë ky do të jetë edhe qëndrimi ynë. Që do të thotë se zgjedhjet ishin të manipuluara, të vjedhura, dhe nuk kanë të bëjnë fare me një shtet që aspiron Bashkimin Europian”.
Ndërsa për çështjen e detit Beleri tha se është një çështje që dy ministrat dhe qeveritë ta zgjidhin me mirëkuptim.
“Çështja e detit nga marrëveshja e vitit 2009 është një marrëveshje në interes të të dyja shteteve dhe duhet t’i përmbahen asaj marrëveshjeje”.