Në një konferencë për mediat ku foli për Samitin e BE me vendet e Ballkanit Perëndimor, kryeministri Edi Rama foli shkurtimisht dhe për çështjen e inceneratorëve.
I pyetur për miliona eurot që janë shpërdoruar në aferën e inceneratorëve, Rama tha se ai nuk është llogaritar por kryeministër i Shqipërisë.
Pavarësisht insistimit të gazetarëve, për të marrë një përgjigje prej tij në lidhje me përgjegjësinë e bashkisë së Tiranës për inceneratorët, Rama nuk preferoi që të komentonte më tej.
“Unë nuk jam llogaritar, por jam kryeministër i Shqipërisë. SPAK është organi i akuzës, gjykata është organi që vendos, dhe midis akuzës dhe vendimit ka një proces të tërë, që nuk është proces ku përfshihet qeveria, por prokurorët të akuzuarit avokatët gjykatësit.
Unë edhe pa SPAK-un fare jam i prirur që lojërat me shifra ti shoh me shumë skepticizëm. Ndërkohë që në këtë rast nuk është pyetje për mua, është çështje e një procesi që duhet të bëjë rrugën e vet dhe në fund ka një gjykatë që vendos në të treja shkallët e saj, dhe vetëm në fund mund të bëjmë diskutime të natyrës teorike se çfarë ndodhi e si ndodhi në aspektin e shifrave.
Nuk dua të bëj koment se kam parë çudira që janë për të qeshur dhe për të qarë me këto kalkulatricet folklorike”, u shpreh Rama.
Në lidhje me aferën e inceneratorëve janë vënë nën masë sigurie 15 persona, mes tyre dhe drejtorë të Bashkisë së Tiranës, si dhe zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit.