Incidenti Treska- Laboviti! Psikoterapisti, Skerdi Zahaj: Përplasje për pushtet, kemi humbur busullën e profesionit

Pedagogu dhe psikoterapisti i njohur, Skerdi Zahaj ka reaguar pas përplasjes së ndodhur mes Brunilda Laboviti, presidentes së re të Urdhrit të Psikologut dhe drejtueses aktuale, Valbona Treska. Në lidhje me rastin, Zahaj shprehet se ajo që po ndodh te Urdhri i Psikologut është një betejë egosh që tregon se gjithçka bëhet për të ruajtur kontrollin dhe pushtetin me çdo kusht.

REAGIMI:

Konflikti që po zhvillohet në zyrat e Urdhrit të Psikologut nuk është një konflikt i psikologëve, por një përplasje për pushtet mes ish-presidentes dhe presidentes së zgjedhur nga Asambleja. Ky nuk është një debat profesional, as një krizë që buron nga shqetësime etike apo të interesit të komunitetit psikologjik. Është thjesht një betejë egosh, ku nevoja për të ruajtur kontrollin me çdo kusht ka marrë peng një institucion që duhet të garantojë dinjitetin dhe standardet e profesionit tonë. Kur ambicia personale, frika nga humbja e pushtetit dhe përdorimi i mjeteve të dhunshme – simbolike apo konkrete – zëvendësojnë dialogun, bashkëpunimin dhe transparencën, atëherë kemi humbur busullën e profesionit dhe misionin e Urdhrit. Urdhri i Psikologut nuk është një arenë për përplasje force. Është një strukturë që duhet të mishërojë etikën, profesionalizmin dhe besimin publik. Të gjithë ne, si pjesë e këtij profesioni, kemi detyrimin të refuzojmë instrumentalizimin e institucioneve për qëllime personale dhe të kërkojmë rikthimin e normalitetit profesional dhe institucional.

Çfarë ndodhi sot?

Këtë të hënë, presidentja e re Bruna Laboviti ka shkuar për të marrë detyrën, por zyra nuk i është liruar nga Valbona Treska, e cila qëndron në krye dhe pretendon se duhet të presë ankimin për procesin e zgjedhjeve. Grupi i Valbona Treskës refuzon ta njohë rezultatin, duke argumentuar se procesi nuk ka kuorumin e nevojshëm, ndërkohë që grupi i Brunilda Labovitit pret të marrë zyrtarisht drejtimin, duke e konsideruar votimin legjitim dhe duke u përgatitur për të ushtruar autoritetin si Presidente. Vetë Treska në një komunikim me ZËRI, ka theksuar se derisa të shprehen organet përkatëse të Urdhrit, ajo do të vazhdojë të jetë në detyrë.

Lajme të tjera |  Avokati: Ilir Meta do të lirohet shumë shpejt, është ezauruar çdo afat

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us