Lisandër Hoxha, kandidat për deputet i Partisë Demokratike në Qarkun e Tiranës në zgjedhjet e 11 majit, deklaroi se partia e tij nuk e mbështeti fillimisht kërkesën për rinumërim të votave.
Kur u pyet nëse e kanë “bekimin” e Sali Berishës në kërkesën për rinumërim, Hoxha u përgjigj: “Unë jam një njeri i lirë, jam i djathtë. Besoj te vlerat e së djathtës që janë fisnikëria. Kontributin tim nuk e kam të lidhur me asnjë person, por e kam të lidhur me parimet. Bashkëjetoj nën rregulla të caktuara politike me shumë njerëz. Unë kam kërkuar mbështetjen e partisë dhe partia në fazën e parë nuk na mbështeti. Pasi u bë e madhe gjëja, që doli në publik votimi, pastaj kishte kërkesën për rinumërim të të gjithë Qarkut Tiranë”.
“Në këtë fazë nuk mund të çonim numra kutish, por kërkesa jonë ishte legjitime sepse ne hasëm në fakte dhe prova që nuk ishte numëruar si duhet. Se kujt i ka interesuar të lëvizë votat brenda llojit, këtë e gjejmë rrugës. Ne jemi tani te faza e parë”, shtoi më tej Lisandër Hoxha.