Izraelitët dalin në protestë kundër qeverisë, më e madhja që nga fillimi i luftës

Dhjetëra-mijëra izraelitë dolën para parlamentit në Jeruzalem të dielën, në protestën më masive antiqeveritare që kur filloi lufta në tetor. Ata i kërkuan qeverisë të arrijë një marrëveshje për të liruar dhjetëra pengjet e mbajtura nga Hamasi në Gazë dhe të mbajë zgjedhje të parakohshme.

Gjashtë muaj luftë kanë thelluyar ndasitë në shoqërinë izraelite. Grupi militant Hamas vrau rreth 1200 vetë gjatë sulmit të 7 tetorit dhe mori peng 250 të tjerë. Afro gjysma e pengjeve u liruan gjatë një armëpushimi të përkohshëm njëjavor në nëntor, por përpjekjet e vazhdueshme të ndërmjetësve ndërkombëtarë për të siguruar një marrëveshje tjetër armëpushimi, kanë dështuar.

Kryeministri Benjamin Netanjahu është zotuar ta shkatërrojë Hamasin dhe të kthejë të gjitha pengjet. Por këto synime nuk janë realizuar dhe familjet e pengjeve druhen se nuk ka mbetur shumë kohë për t’i shpëtuar ata.

Lajme të tjera |  Akuzat për vjedhjen e zgjedhjeve, Berisha niset për në Bruksel

“Pas gjashtë muajsh, duket se qeveria po e kupton që Bibi Netanjahu është bërë pengesë,” thotë protestuesi Einav Moses, vjehrri i të cilit, Gadi Moses, mbahet peng.

“Duket sikur ai nuk do vërtet që t’i kthejë ata, se kanë dështuar në këtë mision.”

Organizatorët u zotuan se do të vazhdojnë demonstratat. Ata i kërkuan qeverisë të shpallë zgjedhje të parakohëshme, rreth dy vjet përpara afatit. Zoti Netanjahu, në një fjalim televiziv para kombit përpara se t’i nënshtrohej një operacioni për hernien diskale të dielën, tha se e kuptonte dhimbjen e familjeve të pengjeve.

“Do të bëj gjithçka për të sjellë pengjet në shtëpi,” tha ai. Ai shtoi se thirrja e zgjedhjeve të reja do të paralizonte Izraelin për gjashtë deri në tetë muaj dhe do të paralizonte bisedimet për pengjet.

Kryeministri izraelit përsëriti gjithashtu zotimin e tij për një ofensivë ushtarake tokësore në Rafah, qyteti jugor i Gazës ku strehohet më shumë se gjysma e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të territorit.

Lajme të tjera |  "Fitorja absolute e PS"/ Analiza e BIRN: Më pak vota, më shumë mandate

“Nuk ka fitore pa shkuar në Rafah,” tha ai. Ushtria ka thënë se batalionet e Hamasit vazhdojnë të jenë në atë qytet.

Aleatët dhe grupet humanitare kanë paralajmëruar se një ofensivë nga toka në Rafah, do të ishte katastrofë.

Marrë nga VOA 

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us