Jashtë Parlamentit të ri, Kryemadhit nuk i vjen keq: Karrigia nuk është e imja. Nuk kam përgjegjësi për humbjen e Metës

Deputetja Monika Kryemadhi ka folur ditën e sotme në ambientet jashtë Kuvendit, lidhur me faktin se nga shtatori nuk do të jetë më pjesë e legjislativit.

Gjatë fjalës së saj për mediat, Kryemadhi tha se nuk ndihet e keqardhur që s’do jetë më pjesë e Parlamentit të ri, pasi sipas saj, karrigia nuk është personale e askujt.

Ajo shtoi po ashtu se zgjedhjet e 11 majit ishin një farsë e madhe, duke thënë se patronazhistët shkelën standardet zgjedhore.

Kryemadhi foli edhe për ‘jetën e re’ që ajo po planifikon, ku ka paralajmëruar se do të jetë pjesë e një filmi, gjë që sipas saj, është shumë interesante.

“Nuk kam asnjë lloj keqardhje që s’do jem në Parlament, sepse karrigia e Parlamentit nuk është as e Monikës dhe e askujt, por është e lëvizshme dhe vijon të lëvizë. E vetmja keqardhje që kam, është se njerëzit janë shumë më të varfër, largohen çdo ditë e më shumë, por kur vjen puna, u dalin votat te kutia me shumicë në favor të qeverisë. Nuk shoh ndonjë përgjegjësi për humbjen e mandatit të Metës, sepse nuk kam qenë drejtuese e fushatës. Unë mendoj se përgjegjësinë më të madhe ne duhet ta kërkojmë te organizatorët e zgjedhjeve, te qeveria, sepse duket qartë farsa elektorale.

Filmi është njëra anë e jetës dhe është shumë interesante. Politika nuk bëhet vetëm duke bërë politikë, duke folur për politikën. Politika bëhet edhe me sjelljen edhe veprimet e tua. Por një gjë dua ta them, që situata nuk do të jetë më mirë se sa ka qenë, por më keq sesa ka qenë.

Që 11 maji ishte farsë elektorale, ishte farsë elektorale. Që identifikimi i shenjave të gishtërinjve të qytetarëve, ku në momentin e votimit qytetari vendoste shenjën e gishtit dhe informacioni i shkonte zyrës së patronazhimit në PS që ka ardhur filani, që ndoshta në një këndvështrim ligjor nuk është shkelje ligji, por është përdorim i aseteve qeveritare në funksion të një partie, sigurisht që ka. Që të shikosh përdorimin e gjithë fondeve buxhetore të shtetit apo të taksapaguesve shqiptarë në funksion të favorizimit, apo të minimit të vullnetit politik, sigurisht që edhe kjo është shkelje”,tha mes të tjerash Kryemadhi.

Lajme të tjera |  “Ju e dini kush i blen votat”/ Përfaqësuesi ligjor i PD nxjerr videon: Një dëshmitar i gatshëm për SPAK

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us