Janë zbardhur të tjera përgjime që tregojnë përfshirjen e efektivëve të Policisë së Shtetit në trafikimin e emigrantëve të vendeve të treta, përmes Shqipërisë në drejtim të Evropës. Emisioni “Piranjat” ka publikuar të tjera biseda të anëtarëve të rrjetit që drejtohej nga Endri Seiti dhe Luan Tafalla, të cilët nëpërmjet agjencisë së punësimit ‘Intercontinental link shpk’ kishin krijuar lidhje me shoqëritë tregtare ‘Mags shoes’ të italianit Antonio Speçhio, ‘Gerem Konfeksione’ me administratore Xhuljeta Çopën, ’Konversimi Adriatik’ të Artur Matës.
Këta persona kanë kryer aplikimet për leje unike për punësim dhe më pas kanë kryer aplikimet për vizën për punësim për shtetasit që vijnë nga Bangladeshi.
Në fakt, këto procedura kanë qenë krejtësisht fiktive, pasi qëllimi i tyre nuk ka qenë punësimi i këtyre shtetasve, por hyrja lirshëm në Shqipëri dhe më pas kalimi ilegal drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Biseda telefonike e datës 17 nëntor 2023 zhvillohet ndërmjet Endri Seitit dhe Arba Hysenllarit:
Endri: Të ikim te Mondi (Edmond Braha).
Arba: Nuk vij te Mondi unë.
Endri: Me një këmbë.
Arba: Hajde të të lë atje dhe të iki unë.
Endri: Shko pyete ti, se mua nuk me lejohet të hyj brenda?
Arba: Pse nuk të lejohet ty? Ti je një përtac, një dh****, nuk takon asnjëlloj robi, shko takoje Mondin vet, ja ti shkruaj Mondit këtu.
Endri: Ça jam unë, ça jam.
Endri: E mori Lani (Luan Tafalla) dje, hajde te zyra tha.
Arba: Dh**** je.
Endri: Më kërkojnë lekë, ty nuk të kërkojnë lekë.
Arba: Ë, të shkojë unë ë? Po jo mor zotëri të shkoj shkojë Lani, të shkojë Lani dhe ti.
Si funksiononte skema?
Personat e huaj nga Bangladeshi udhëtonin nga Dubai dhe priteshin në Rinas nga emrat e përfshirë në këtë trafikim. Shoqëria ‘Mags shoes’ ka pritur rreth 40 shtetas të huaj në datat 30 gusht 2023, 1 shtator 2023, 7 shtator 2023, 8 shtator 2023 dhe 10 shtator 2023. Këta persona janë pritur në Rinas nga personat nën hetim Luan Tafalla, Arnold Shpata dhe Endrit Ismailaj. Ata pavarësisht se nuk punojnë për ‘Mags shoes’ janë paraqitur si përfaqësues të kësaj kompanie.