Hirësi Joan Pelushi zgjidhet kryepeshkopi i ri i Kishës Ortodokse të Shqipërisë. Hirësi Joan Pelushi ka qenë mitropoliti i Korçës.
Sinodi i Shenjtë i Kishës kishte bërë me dije se zgjedhja do të bëhet pas Liturgjisë Hyjnore të Dielës së Dytë të Kreshmës.
Imzot Joani mbajti dhe një fjalim të shkurtër, ndërsa u duartrokit nga dhjetëra besimtarë të pranishëm.
“Me përulësi, duke iu bindur vullnetit hyjnor pranoj këtë shërbim të lartë dhe premtoj se do ta zbatoj me devotshmëri detyrën time. Do respektoj traditën e shenjtë dhe do përpiqem me forcë të mbroj të drejtat e kishës, i vetëdijshëm për peshën e kësaj përgjegjësi, i lutem Krisht themeluesit të kishës të më japë ndriçim, forcë dhe urtësi për të përmbushur këtë mision. Me dorën time e nënshkruaj këtë zotim. Lutem që Perëndia ta mbrojë gjithmonë Kishën tonë”, tha Imzot Joani.
Hirësi Joani u prit me një ceremoni të veçantë dhe hyri në Katedralen “Ngjalla e Krishtit”, ndërsa kambanat e saj dhe ato të të gjitha kishave ortodokse në Shqipëri, ranë njëkohësisht në nder të këtij momenti historik. Ai do të pasojë në këtë detyrë të lartë Kryepeshkopin Anastas, i cili ndërroi jetë në janar të këtij viti.
Në testamentin e tij, Anastas shprehu dëshirën që Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë të ketë një klerik shqiptar në krye.