Të qenit bashkë me Ilir Alimehmetin në listën e hapur të Tiranës, nuk ishte komode, u shpreh deputetja demokrate Jorida Tabaku.
Në një intervistë me gazetarin Drini Zeqo, ajo u shpreh se ka një marrëdhënie “shumë korrekte” dhe pa asnjë hatërmbetje me Alimehmetin, pavarësisht rezultatit që solli 11 Maj.
“Ai mori një mbështetje shumë të madhe. Do i bënte mirë jo vetëm PD-së, por edhe parlamentit. Shpresoj që numërimi i këtyre votave të pavlefshme mund të prodhojë këtë mandatin e 14. Rinumërimi që po ndodh në Tiranë është pjesë e denoncimit total që PD i ka shkuar procesit deri në fund”, tha Tabaku.
Deputetja demokrate u shpreh se fushata për zgjedhjet ishte e lodhshme dhe e gjatë. Punën e vështirësonte edhe fakti që përveç kundërshtarit, “përballë” kishte edhe kandidatët mes radhëve të PD-së.
“Ka qenë shumë e vështirë në terren dhe për kundërshtarin që kishim përballë, por edhe për faktin që tanimë nuk ishte vetëm një betejë me kundërshtarin, por ishte edhe mes nesh. Aty shpeshherë nuk ndihesh komod, sepse do shkosh në një territor, do takosh njerëz që ndoshta i ka takuar edhe një nga kolegët e tu”, tha ajo.
Për Tabakun në zgjedhjet e 11 majit ka pasur frikë mes qytetarëve.
“Për herë të parë më kanë qëlluar qytetarët që thonin mos na nxirr në foto, edhe qytetarë të thjeshtë, biznese të vogla, nëpunës të administratës publike. Kishte një komponent të frikës që ishte prezent aty”, tha ajo.