Juventusi dhe Milani, nëse nuk ribëhen do të jenë jashtë hartës edhe vitin e ardhshëm

Dy skuadrat e traditës Italiane, të mësuara me trofe dhe suksese, me tifozeri të jashtëzakonshme të mësuara të shpërblehen në fushë, Juventusi dhe Milani shihen me të drejtë si dy nga zhgënjimet më të mëdha të këtij viti futbollistik në kampionatin Italian. Këtë e konfirmonte në një editorial të sotëm edhe “Gazzetta dello Sport”.

Të dy klubet përballen me nevojën urgjente për një rindërtim të thellë, që duhet të nisë nga pankina. Fakti që të dyja këto skuadra ndryshuan trajnerët gjatë sezonit është një reflektim i qartë i dështimeve nga ana e drejtuesve. Me ardhjet e reja, kroati Igor Tudor te Juventusi dhe portugezi Serxhio Konseisao te Milani nuk është siguruar stabiliteti i nevojshëm.

Juventusi ende e ka një shans për t’u kualifikuar në Ligë Kampionesh, gjë që do të sillte të ardhura të rëndësishme dhe do t’i jepte më shumë liri në merkato. Megjithatë, për të shmangur përsëritjen e gabimeve të së kaluarës, drejtuesit duhet të zgjedhin një trajner me eksperiencë në futbollin italian dhe të largohen nga eksperimentet e dështuara si ai me Tiago Motën.

Lajme të tjera |  Ofertë marramendëse për Kristiano Ronaldon, përgatitet të braktisë Arabinë Saudite për… Brazilin

Objektivi kryesor për juventinët mbetet rikthimi i Antonio Kontes, i cili përputhet me profilin e kërkuar: karizmatik, me njohje të thellë të kampionatit dhe me aftësi për të rindërtuar. Nëse kjo nuk realizohet për shkak të pengesave të Napolit, alternativa është konfirmimi i Tudorit, i cili do të fitojë rinovimin automatik në rast kualifikimi në Ligë Kampionesh. Ai, për ta përshtatur çdo lojtar me stilin e tij të lojës, 4-3-2-1, do të jetë nevojtar për të paktën 6-7 përforcime dhe po aq largime, çfarë nënkupton një revolucion të burimeve njerëzore të skuadrës.

Situata te Milani është edhe më alarmante. Vendi i tetë në renditje, humbja në finalen e Kupës së Italisë dhe një pjesëmarrje që do të jetë në dyshim deri në sekondën e fundit në kompeticionet evropiane kanë ekspozuar nevojën për një revolucion total. Klubi duket në një kaos organizativ dhe pa një drejtim të qartë, sidomos pa një drejtor sportiv të përcaktuar. Igli Tare, nëse do të konfirmohet, do të ketë të gjithë presionin e botës milaniste, thellësisht në krizë, për çdo vendimmarrje.

Lajme të tjera |  Bëri namin me Bayernin në Bundesligë, ylli francez merr çmimin prestigjoz në Gjermani

Kandidatët për pankinën janë Vincenzo Italianoja, për shkak të sezonit të shkëlqyer me Bolonjën, rikthimi i Masimiliano Alegrit apo i Stefano Piolit, por diskutohen edhe emra si Sarri apo Gasperini. Në çdo rast, ashtu si Juventusi, edhe Milani ka nevojë për një trajner me përvojë dhe autoritet për të përballuar sfidat e mëdha që e presin.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us