Një gjykatë amerikane ka refuzuar apelin e zotit meksikan të drogës Joaquin “El Chapo” Guzman për të rishikuar vendimin që e dënoi me burg përjetë. Sipas mediave të huaja, Guzman, i cili për vite udhëhoqi kartelin e drogës “Sinaloa”, kishte paraqitur peticione ‘habeas corpus’ – padi civile të përdorura për të vlerësuar nëse burgimi ishte i ligjshëm.
“Kjo ishte ndoshta ndjekja penale më famëkeqe e dekadës dhe akuzat për të cilat kërkuesi u dënua mund të kishin rezultuar me dënim me vdekje,”- tha gjyqtari Brian Cogan, nga Distrikti Lindor i Nju Jorkut.
Vendimi hedh poshtë argumentet se mbrojtja e Guzman nuk ka eksploruar mjaftueshëm marrëveshjen për pranimin e fajësisë dhe citon prova të vulosura që pretendojnë se Guzman ende kontrollon deri në miliarda dollarë në asete, edhe nëse ato nuk janë në emrin e tij. Cogan, i cili gjithashtu kryesoi gjyqin dhe dënimin e Guzman në vitin 2019, hodhi poshtë kërkesën për t’i caktuar “El Chapos” një avokat ligjor, duke shtuar se Guzman asistohej nga Mariel Colon Miro, një avokat që vitet e fundit ka përfaqësuar në gjyqe Guzman dhe gruan e tij.
Colon nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Gjykatësi ngrit gjithashtu pyetjen se ku Guzman kishte siguruar paratë për të paguar avokatët e tij dhe pse gruaja e tij – e liruar nga burgu në shtator – nuk ka pasur ende akses në pasuritë e tij.