Kryeministri Edi Rama në bashkëbisedimin e radhës me qytetarët në rubrikën ‘Sy më sy’ ka folur rreth zgjedhjeve të 11 Majit. Rama u shpreh se nuk është çështja që të fitojë PS, por është marrja e pasaportës evropiane dhe se vetëm ai dhe PS, mund ta ‘kyçin’ Shqipërinë në BE.
Edi Rama: Ka rrjedhur bufi i kënetës. Që është në rrjedhje duket qartë, por është çështje e moshës. Por them votoni për mua se vetëm unë dhe PS e bëjmë këtë hap të fundit për të kyçur Shqipërinë në BE. Kjo është e thjeshtë dhe e qartë. Nuk e bën dot askush tjetër, cilido tjetër minimalisht do të shkaktonte një shtyrje dhe vonesë dhe mbylljen e kësaj dere.
Kreu i qeverisë ndër të tjera komentoi dhe mbylljen e platformës Tik Tok, ku u ritheksoi se përdorimi i VPN-së është i rrezikshëm, pasi mund të ndikojë në cënimin e të dhënave personale.
Përdorimi i VPN
Pas lajmit për mbylljen e platformës Tik Tok, përdoruesit nisën që të kërkojnë alternativa për të siguruar lundrimin në aplikacion, duke kërkuar mundësi për të ndryshuar lokacionin e përdorimit. “Proton VPN”, shërbim VPN i operuar nga një kompani zvicerane ka pasur një “boom” shkarkimesh në celularë. Sipas tyre, përdorimi i ProtonVPN në Shqipëri është rritur 1200% dhe ende nuk ka të ndalur.
Më shumë se dy muaj pas njoftimit, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për mbylljen e TikTok për 1 vit në Shqipëri. Brenda një jave apo 10 ditësh, shqiptarët nuk do të mund të aksesojnë më platformën “Tik Tok”. Vendimin e marrë e ka njoftuar Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, e cila pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave bëri me dije se për 12 muaj, “Tik Tok” nuk do të mund të funksionojë më brenda territorit të Shqipërisë.
Mbyllja e platformës u njoftua nga kryeministri Edi Rama në 21 dhjetor, pas një konsultimi publik. Shkak i nismës u bë vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, pasi një grup nxënësish u përfshinë në sherr me thika pranë shkollës ‘Fan Noli’ në Tiranë më 18 nëntor 2024. Sa i përket vendimit, TikTok ka deklaruar se nuk ka prova që incidentet e dhunshme të përmendura janë të lidhura drejtpërdrejt me platformën e tyre