Rinumërimi në Qarkun e Fierit solli një ndryshim sa i përket shpërndarjes së mandateve brenda Partisë Socialiste. Zegjine Çaushi, kandidatja që u bë virale në rrjetet sociale për shkak të “përplasjes” me kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, humbi mandatin me 10 vota diferencë përballë Maldrita Bardhos.
Çaushi pas rinumërimit rezultoi se kishte 48 vota të pamerituara, pra në total 4026 vota. Bashkëngjitur edhe votat e diasporës, 600 të tilla, numri total shkoi në 4626 vota për të.
Por nga ana tjetër, Maldrita Bardhos i ishin hequr padrejtësisht 26 vota. Nga kutitë e hapura rezultoi se kishte 3616 vota në total. Ato që i hapën “derën e fitores” ishin 1020 votat e diasporës. Në total për Bardhon u bënë 4636 vota, pra 10 më shumë se Çaushi, por mjaftueshëm për t’i marrë mandatin.
Kandidatja socialiste Zegjine Çaushi mori vëmendjen gjatë fushatës elektorale për 11 majin pas “thumbave” me Gazment Bardhin në rrjetet sociale.
Çfarë solli rinumërimi në Fier?
Nga të dhënat që ka shpërndarë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Partia Socialiste ka rezultuar e dëmtuar nga numërimi i parë në Fier. Asaj i ishin hequr padrejtësisht 30 vota.
Ndërsa Partia Demokratike nga ana tjetër, kishte 147 vota të pamerituara.
Lëvizja më e madhe në Fier ka ndodhur mes kandidatëve të së njëjtës parti. Në selinë rozë, Ceno Klosi ka rezultuar me 831 vota të pamerituara. Ndërsa kandidati që kishte humbur më shumë vota padrejtësisht rezultoi Klevis Jahaj me 497 të tilla.
Një situatë e tillë u paraqit edhe në kampin opozitar. Silva Hasaj kishte 671 vota të pamerituara, ndërsa Gentian Çela 212.
Për shkak të kësaj situate, Ledio Braho, anëtar i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, theksoi se në Fier, ndryshe nga Tirana, “nuk jemi në kushtet e gabimit njerëzor, por duket që ka veprimtari të qëllimshme nga grupet e numërimit”.
Ndër të tjera Braho në fjalën për mediat, theksoi se rezultatet nga rinumërimi në Fier janë një indicie e mjaftueshme që Prokuroria e Fierit të nis hetim për trafikim të votave.
“Tani prokuroria nuk besoj që nuk është në dijeni se edhe ata ndjekin lajme siç ndjekin të gjithë shqiptarët, por unë e diskutova sot edhe me kolegët që ne kur të marrim vendimin do të mbajmë edhe një qëndrim lidhur me faktin se si do të procedojmë, por në çdo rast unë do ja çoj prokurorisë së juridiksionit të përgjithshëm në Fier vendimin me tabelën e ndryshuar bashkë me procesverbalet ku pasqyrohen diferencat dhe besoj se kjo është indicie e mjaftueshme që Prokuroria e Fierit të nis hetimin për trafikimin e votave”, theksoi Braho.