Katër kandidatët e Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 Majit kërkojnë rinumërimin e votave preferenciale të Tiranë dhe Durrës. Kandidatët opozitarë hedhin akuza për parregullsi gjatë procesit të numërimit të votave, si dhe pretendojnë se votat preferenciale të tyre janë regjistruar në emër të një kandidati tjetër.
Ilir Alimehmeti ka ankimuar rezultatin, duke kërkuar rinumërimin e votave në qarkun e Tiranës. Alimehmeti, përmes një shkrese drejtuar KQZ-së, ku argumenton se rezultati me kandidaten që e prin në listën e hapur, Jorida Tabaku, është shumë i ngushtë. Kandidati i PD, sqaron në dokument se, rezulton sipas tij një parregullsi në masën rreth 5% të votave të numëruara. Ai shton edhe faktin se vetëm në një qendër votimi, 27 vota preferenciale për të i janë kaluar një kandidati tjetër dhe atij i janë shënuar 0 vota në tabelën përmbledhëse.
Edhe Mimoza Hajdarmataj, në kërkesën e saj, thotë se “rezulton se ka pasur parregullsi në masën mbi 1000 vota në të paktën 6 KZAZ. Teksa liston QV-të, ku sipas saj rezultati është i ndryshëm nga ato të miratuara, thotë se “Qendrat e votimit të mësipërme, por edhe shumë të tjera, krijojnë bindjen se numërimi ka patur problematika në të gjithë qarkun e Tiranës, duke krijuar shkak për rinumërimin dhe/ose rivlerësimin të të gjitha qendrave të votimit.”
Lisandër Hoxha pretendon gjithashtu se nga videot e marra jo të plota nga KQZ të procesit të numërimit të votave të zgjedhësve, ka konstatuar se disa vota preferenciale të tijat janë regjistruar në emër të një kandidati tjetër.
Edhe kandidati i PD në listën e hapur të Durrësit, Aulon Kalaja ka kërkuar rinumërim të votave preferenciale në këtë qark. Në një letër drejtuar KQZ-së, ai thotë se në të gjithë procesin e numërimit dhe pasqyrimit të rezultatit, ka pasur problematika dhe shkelje që i kanë evidentuar nga pamjet filmike.
“Në datën 26.05.2025, kemi marrë dijeni për Vendimin nr. 1327, datë 24.05.2025 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për miratimin e Tabelës Përmbledhëse për Rezultatin në zonën zgjedhore Qarku Durrës, për subjektet zgjedhore dhe për kandidatët për deputetë, në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 11 maj 2025”. Duke mos qenë dakord me këtë vendim, për shkak se vlerësojmë se gjatë procesit të numerimit të rezultatit zgjedhor prej të cilit ka dalë ky vendim kanë ndodhur shkelje të ligjit, të cilat kanë cenuar rëndë procesin zgjedhor, si dhe tërësia e shkeljeve të ligjit, të ndodhura në këtë zonë zgjedhore ka cenuar procesin zgjedhor në një masë të tillë, që ka ndikuar në ndarjen e mandateve, sic do të provohet gjatë hetimit administrativ, po parashtrojmë këtë ankim me faktet, dispozitat ligjore dhe arsyetimin ligjor”, theksohet në kërkesë.
Ilir Alimehmeti ishte një ndër më të votuarit e kandidatëve të PD të qarkut të Tiranës, por u la pas nga Jorida Tabaku, e cila arriti të merrte 19 046 vota. Alimehmeti siguroi 16 598 vota. Mimoza Hajdarmataj ka arritur që të marrë 4 568 ndërkohë që Lisandër Hoxha ka 1 902 vota