Presidenti Bajram Begaj iu drejtua sot deputetëve të Kuvendit parmes një mesazhi me rastin e nisjes së sesionit të ri parlamentar, ku i bëri thirrje për gjetjen e gjuhës së përbashkët dhe normalizimin e jetës parlamentare në vend.
Megjithatë deputeti opozitar Gazment Bardhi e akuzoi kreun e shtetit se nuk adresoi krizën politike që prej disa muajsh tashmë ka paralizuar funksionimin normal të parlamentit. Sipas Bardhit, opozitës po i mohohen të drejtat kushtetuese, ndaj edhe Begaj duhet të vinte theksin te ky problem.
Në fakt, këtë shqetësim që ngre sot opozita, presidenti Begaj e ka adresuar disa herë. Në çdo nisje të sesionit parlamentar, Begaj i është drejtuar palëve politike duke kërkuar prej tyre të bëhen pjesë e dialogut konstruktiv, të bashkëpunojnë për të jetësuar reformat e rëndësishme por edhe duke adresuar probleme sociale si largimi i rinisë, apo shqetësimet e sigurisë që solli agresioni rus në Ukrainë.
Duke nisur që prej vitit 2022, në sesionin parlamentar të vitit 2023 dhe kështu me radhë, presidenti Begaj ka vënë vazhdimisht theksin te rëndësia e dialogut parlamentar, në mënyrë që Kuvendi të jetë vendi ku ka shkëmbim të ideve dhe diskutime konstruktive mes pozitës dhe opozitës.
Edhe sot, ndryshe nga sa pretendon Bardhi, mesazhi i Presidentit Begaj kishte në qendër të tij të theksonte rëndësinë e nevojës për një opozitë që me zërin, argumentet e saj përballet në debate me ide dhe argumente.
Sesioni i ri parlamentar nisi sot sërish me kaosin e shkaktuar nga deputetët e grupimit të ish-kryeministrit Sali Berisha, të cilët bllokuan foltoren dhe hapën zhurmues duke bërë që maxhoranca të miratojë me shpejtësi çështjet e ditës dhe të deklarojë seancën e mbyllur.
Në seancën e sotme ishte parashikuar të fliste presidenti Bajram Begaj, ndërsa të pranishëm ishin edhe diplomatë e ambasadorë të huaj në Tiranë, ndër ta ai i Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë.