Partia Socialiste kërkon masë disiplinore për deputetin e opozitës Flamur Nokën për kaosin që shkaktoi në Kuvend gjatë seancës së të enjtes, ku u miratua kërkesa e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të Sali Berishës. Masa disiplinore pritet që të bëhet sipas ndryshimeve të rregullores.
Sipas rregullores së re deputetët që prishin rendin dhe qetësinë në seancë përjashtohen deri në 60 ditë në bazë të shkeljes. Po ashtu edhe hedhja e mjeteve piroteknike përfshihen tek ndëshkimet më të rënda, deri në 60 ditë përjashtim.
Flamur Noka pasi u përplas me Gardën jashtë Kuvendit, pasi arriti të hynte bashkë me deputetët e tjerë të opozitës grumbulluan karrige në mes të sallës. Më pas Noka ndezi flakadanë ngjyrë blu dhe rozë.
Një ditë më parë në seancën plenare (21 dhejtor 2023) Kuvendi dha autorizimin për arrestimin e Berishës dhe kërkesa u miratua me 75 vota pro. Në seancë ishte i pranishëm dhe vetë kryeministri Rama, ndërsa munguan deputetët e Bashës. Paralelisht me seancën, mbështetësit e Berishës u mblodhën në protestë para Kuvendit, të cilën e përshëndeti shkurtimisht edhe ish-kryeministri. SPAK kërkoi masë më të ashpër sigurie për Berishën, për shkak se ish-kryeministri nuk zbatoi masën e detyrimit të paraqitjes që ishte caktuar më parë nga Gjykata e Posaçme. Berisha dyshohet për akuzën e korrupsionit, që parashikon një dënim nga 3 deri në 12 vite burg. Për shkak të moshës së tij të thyer, SPAK pritet që ti kërkojë GJKKO masën e sigurisë arrest shtëpie për liderin historik të demokratëve, i cili nuk ka ndërmend që të tërhiqet nga drejtimi i partisë.