11 persona, mes të cilëve dhe një shqiptar kanë rënë këtë të hënë në prangat e Policisë gjermane, nën akuzën e trafikut të drogës. Raportohet se autoritetet arritën të kapnin njjë sasi prej 48 kilogramësh kokainë, të ardhur nga Amerika e Jugut në portin e Hamburgut. Nëse do të dilte në treg, kokaina do të shitej për 2.4 milionë euro. Sipas Policisë, shqiptari i arrestuar, emri i të cilit nuk bëhet me dije, ishte drejtuesi i grupit.
Policia e kishte vënë në vëzhgim kontenierin dhe në momentin që ka nisur të shkarkohet në port, është ndërhyrë duke bërë të mundur arrestimin e 5 anëtarëve të grupit kriminal. Më pas, Policia kontrolloi 14 prona në Bremen, Stuhr, Ganderkesee dhe Delmenhorst ku u arrestuan dhe 6 persona të tjerë.
Gjatë kontrolleve, hetuesit sekuestruan 160 gramë kanabis, peshore precize, makineri izolimi me vakum, steroid anabolikë, telefona celularë të ndryshëm, kompjuterë dhe mjete ruajtjeje si dhe dokumente transporti për kontejnerë dhe dokumente të tjera si provë. Gjithashtu janë sekuestruar tre makina, llogari të ndryshme, 900 euro cash dhe një orë e cilësisë së lartë./ZËRI