Karta ‘ndërkombëtarët’ nën mëngë! Si e mori Basha Reformën Zgjedhore

Të enjten e shkuar, konferencën për shtyp të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ZËRI e cilësoi si “ringjallje”. Prej muajsh mungesë në parlament, aq sa nuk mori pjesë në seancën e heqjes së imunitetit të kryedemokratit Sali Berisha. Disa ditë më parë pati një rikthim të fuqishëm teksa diskutohej për Reformën Zgjedhore, si një peshkaqen kur ndjen erën e gjakut.

“Ne mbetemi të hapur për plotësime rreth paketës tonë të propozimeve, por ne besojmë se paketa jonë adreson në mënyrë shteruese problemeve me reformën zgjedhore. Shqipëria një zonë vendore sjell barazinë e votës. Thirrja ime në emër të PD është që të nisë menjëherë puna në komision e reformës zgjedhore. PS të lërë mënjanë çdo alibi e ti japim shqiptarëve një Reformë Zgjedhore.”

Prapaskenën e asaj konference e zbuluam sot. Krejt paprit, po para gazetarëve, Basha lajmëroi se brenda kësaj jave nis puna për Reformën Zgjedhore. Do të zgjidhet mes tij, deputetëve që e mbështesin edhe Partisë Socialiste. Rrjedhimisht Gazment Bardhi, Sali Berisha dhe të gjithë deputetët e tjerë të opozitës mënjanohen menjëherë. Për këtë Basha u sigurua që të jepej mesazhi duke theksuar edhe ndërhyrjen e ndërkomëbtarëve për arritjen e marrëveshjes mes PD-së së vulës dhe Partisë Socialiste.

Lajme të tjera |  Zoti Berisha, mos jep dorëheqje se i duhesh Ramës edhe për 2029

“Në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, përfaqësuesit e të cilit dëshiroj t’i falenderoj, ia kemi dalë të marrim një hap të parë modest sa i përket prioritetit kryesor për largimin e papërgjegjshmërisë politike nga skena politike përmes Reformës Zgjedhore. Dhe të paktën për momentin duhet që në bashkëpunim me aleatët strategjik të Shqipërisë, Partia Demokratike si udhëheqëse e këtij procesi në kuptimin thelbësor të fjalës ia ka dalë që të bind palën tjetër për të nisur punën për Komisionin bipartizan të Reformës Zgjedhore. Detajet besoj do të bëhen shumë shpejt publike, por unë dua të falënderojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian, Britaninë e Madhe që kanë ndihmuar jo thjesht opozitën, Partinë Demokratike në këtë drejtim,”-tha në fillim Basha. Ndërsa pak më vonë shtoi se gjithçka do të mbyllet brenda javës.

Dukej se e tha me naivitet, por u sigurua që ta thoshte disa herë që kishte mbështetjen e ndërkombëtarëve. Këtë të fundit, nuk e ka dhe nuk do ta ketë kurrë kryedemokrati Berisha dhe as mbështetësit e tij. Nga sot, as Gazment Bardhi.

Lajme të tjera |  A do ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve nëse njihen nga ndërkombëtaret? Berisha: Vetëm ai lart mund të ndalojë PD-në

Sapo Basha mbylli fjalën e tij, krejt papritur portalet nxorrën një dokument të nënshkruar nga Enkelejd Alibeajt dhe Damian Gjiknurit, drejtuar OSBE-së për Reformën Zgjedhore. Në letër kërkojnë ndihmën e OSBE për të marrë pjesë në negociatat për Reformën, disa ditë pasi vetë të dërguarit në Shqipëri ishin vetëofruar për ndihmë. Ajo që është më e çuditshme është fakti se dokumenti nuk ka një datë, por firmat e të dy deputetëve.

Kur janë takuar? Edhe për këtë u pyet Basha, por i bëri bisht pyetjes, duke lënë të kuptohet vetëm diçka. Ka pasur një takim mes tyre, e kjo konfirmohet edhe nga letra e nënshkruar prej të dyve. Sa i përket pjesës tjetër të opozitës…edhe lajmin se çfarë do të vendoset për Reformën do ta mësojnë nga lajmet, pasi me rregulloren e re të Kuvendit, as pjesëmarrjen në seancë nuk do ta kenë të sigurtë.

Topi është sërish në fushën e Bashës, edhe vula, edhe kryesia e PD-së. Mesa duket numrat deri më tani nuk kanë asnjë rëndësi. Po fare!/ZËRI

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us