Pas barazimit me Serbinë në Tiranë, Kombëtarja shqiptare do të përballet nesër me Letoninë në transfertë, sfidë e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026. Në konferencën për shtyp në prag të këtij dueli ka folur edhe mesfushori i kuqezinjve, Kristjan Asllani.
Vijmë nga emocionet e ndeshjes me Serbinë, sa kanë ndihmuar këto dy ditë skuadrën që të karikojnë bateritë dhe të jetë e kthjellët në një ndeshje që ne duhet ta fitojmë?
Duhen karikuar bateritë pasi vijmë nga një ndeshje pozitive, në aspektin e lojës, na mungoi vetëm goli. Kemi një ndeshje të vështirë me Letoninë, por na duhen 3 pikët për atë që ne kemi në mendje dhe për ëndrrat tona.
Je një nga lojtarët titullar të ekipit. Si e justifikon besimin e trajnerit Sylvinho dhe si je përgatitur për ndeshjen e nesërme?
Që kur ka ardhur trajneri, i kam luajtur të gjitha ndeshjet. Tani besoj se ne duhet të mendojmë për skuadrën. Kanë një trajner italian dhe e di si punojnë italianët. Do të jetë një ndeshje taktike pasi do të mbrohen shumë mirë. Nuk po mendoj për veten time, por për skuadrën, kemi ardhur këtu për ta fituar këtë ndeshje.
Zelenkov, ish shoku yt te ekipi i Empolit. Dhe meqë jeton në Milano, Kukulis?
Zelenkov e mbaj mend shumë mirë, është një futbollist shumë i mirë teknikisht. Nesër do të shihemi pas 3-4 vitesh dhe jam i lumtur. Mendoj se do ndërrojmë bluzën nesër pasi do ja kërkoj unë. Shpresoj që ta fitojmë ne këtë ndeshje.