Edhe pse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka bërë një shpërndarje zyrtare të mandateve, lista e 140 emrave të rinj pak a shumë është krijuar. Sot ishte hera e parë pas zgjedhjeve parlamentare që deputetët e Kuvendit të Shqipërisë u mblodhën në sallë, por me keqardhje. Për disa prej tyre, është hera e fundit që marrin pjesë si deputetë, ndaj edhe nuk e fshehin keqardhjen. Të tjerë më pas duket se kanë të qartë një plan për atë që do të bëjnë me jetën e tyre, tashmë si qytetarë të thjeshtë. Opozitarët ishin të gjithë njëzëri në akuzat për farsë elektorale. Madje edhe ata që kanë dalë hapur kryedemokratit Sali Berisha! Ndërsa socialistët duken të kënaqur me arritjen historike të partisë së tyre, ndaj mandati për ta nuk vlen shumë.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ferdinand Xhaferaj, në një prononcim për mediat jashtë Kuvendit, deklaroi se Partia Demokratike ndodhet në një pikë kritike, duke theksuar se ka arritur fundin.
“Opozita pësoi një humbje turpëruese. Keqardhje që flasim për vjedhje të zgjedhjeve por jo për zgjidhje si mund të dalim nga kjo situatë. I bashkohem Berishës në akuzat por a është Berisha zgjidhja? PD do të ketë zgjidhje, por tani është fundi. Vjeshta që vjen maksimumi pranvera do të prodhojë zgjidhje,”-tha Xhaferaj.
Deputeti i PS-së në Qarkun Elbasan, Luan Duzha, i cili nuk arriti të sigurojë mandatin për t’u bërë pjesë e Parlamentit të ri, ka deklaruar se nuk ka blerë asnjë votë në zgjedhjet e 11 Majit.
“Nëse është blerë një votë unë shkoj me qejf në burg, kaq, një votë. Është e gjitha një gënjeshtër, as nuk më kanë kontrolluar, as nuk më kanë marrë celularin, asgjë. Nëse është blerë një votë unë shkoj me qejf në burg, kaq, një votë. Unë flas për veten time, nëse është blerë një votë e vetme nga njerëzit e mi apo shokët e mi për mua, unë shkoj me qejf në burg,”- deklaroi deputeti socialist.
Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi tha për gazetarët se e vetmja keqardhje është se sipas saj njerëzit janë më të varfër dhe po largohen çdo ditë e më shumë, por te kutitë, votat dalin në favor të qeverisë.
“Nuk kam asnjë lloj keqardhje. Të vetmen keqardhje që kam është se njerëzit ndihen shumë më të varfër, largohen çdo ditë e më shumë, janë shumë më të pakënaqur, por kur vjen puna, u dalin votat te kutia me shumicë në favor në qeverisë. Keqardhje për Ilir Metën? Patjetër. Përgjegjësi për të? Nuk shoh ndonjë përgjegjësi të madhe, unë nuk kam bërë dhe nuk kam qenë liderë e fushatës së tij, unë kam qenë një nga personat që kërkonte votë për Ilir Metën. Përgjegjësinë më të madhe duhet ta kërkojmë tek organizatorët e zgjedhjeve. Para ca ditësh pashë sesi njerëzit protestonin për rrugën. Filmi është njëra anë e jetës. Politika nuk bëhet vetëm duke bërë politikë. Politika bëhet edhe me analizat. Por dua t’ju them se nuk mendoj që situata do të bëhet më mirë sesa ka qenë. Që është farsë elektorale, është,”-tha Kryemadhi.
Ndërsa prononcimin më epik e kishte Edona Bilali, e cila adresoi “reklamën” që i bëri vetes gjatë fushatës. Për të, spoti nuk kishte asnjë problem, por problemi ishin qytetarët (përveç atyre të Shkodrës) që nuk e kuptuan.
PRONONCIMET E TJERA:
Ilir Metaj: Nuk e mas jetën me sa por me si.
Toni Gogu: Nuk më vjen keq për asgjë. Ka qenë një garë ku PS ka arritur një super rezultat. Ashtu siç i udhëheq perëndia njerëzit e vetë. Erdha nga fshati, banoj në fshat, do vazhdoj që t’u shërbej njerëzve.
Qefalia: Kuotën gjinore vetë e përcaktuam.
Koçi: Keqardhje që nuk do ju takoj më këtu.
Nasip Naço: Do vazhdoj me profesionin tim. Besoj se do të tërhiqem nga politika.
Krashi: Ju falenderoj për interesin nga media. Kemi një mbledhje. Unë në Angli? E kam lënë Anglinë. Do të vazhdoj me PS.
Gjonaj: Patjetër që më vjen keq, por jam falenderuese për ata që më votuan.
Merita Bakiu: U munduam që të bënim një betejë të drejtë. Më vjen keq vetëm për diçka. Pakti Rama-Berisha i la demokratët rrugëve. Jam me keqardhje për demokratët.
Andia Ulliri: Në fakt duke qenë se certifikimi i mandateve ende nuk ka përfunduar, do të presim sesi do të procedohet. Në fakt, meqë jemi së bashku, kam depozituar një kërkesë në KQZ për çështjen e kuotës gjinore.
Lindita Metaliaj: Keqardhje e madhe që nuk triumfoi vota e lirë. Nëse do jem apo jo në parlament, nuk është çështje e madhe.
Enkelejd Alibej: Unë kam ikur njëherë në 2013, por kam ikur me kokën lart. Në 2019 ika me kokën ulur. E rëndësishme është sesi del, unë dal me kokën lart. Këta këtu janë pazarxhinjtë. Fitoi Rama, fitoi Berisha. Preja e radhës është drejtësia. Rrugët e zotit janë të pafundme. Unë nuk kam ardhur si anonim në këtë sallë.
Helidon Bushati: Unë e kam zgjedhur vetë
Edmond Spaho: Jetë nuk është vetëm parlament.
Tomor Alizoti: Ju ka ngrënë të gjithëve. Ka ngrenë gjithë Shqipërinë (për Ramën).