Kërkuan nga KQZ pamjet filmike të numërimit të votave, Rama reagon ashpër ndaj të vetëve: Mos ushqeni qenerinë mediatike, po humbisni fytyrën dhe…

Mbi 15 kandidatë nga forca të ndryshme politike i janë drejtuar KQZ-së me një kërkesë për pamjet filmike të numërimit të votave preferenciale.

Mes kandidatëve që kanë bërë kërkesë janë Blerina Gjylameti, Etilda Gjonaj, Frrok Gjini dhe Xhemal Qefalia nga rradhët e Partisë Socialiste.

Kjo ka bërë që kryesocalisti Edi Rama të reagojë ashpër.

VoxNews mëson se Rama ka kërkuar nga kandidatët e listës së hapur që të ndalin kërkimin e pamjeve filmike nga KQZ, pasi sipas nuk ka asnjë shans për devijim vote me aq vëzhgim sa kanë pasur komisionet e numërimit, ndërsa vë në dukje se “humbja e një gare s’duhet të bëhet shkak për të humbur edhe fytyrën”.

Rama thekson se me anë të këtyre kërkesave thjesht “do të ushqehet qeneria mediatike kur në fund, mali i mbarsur mund të mos pjellë as një mi!”

Lajme të tjera |  Kandidatët "anonimë" në Parlament, Petro Koçi: Do të jetë një minus për Shqipërinë

Reagimi i plotë i Ramës për kandidatët e listave të hapura:

Kam marrë njoftim me trishtim për disa iniciativa individuale, për të kërkuar filmime, rinumërime e ku di unë çfarë tjetër për votën preferenciale!

Natyrisht që s’mund të ndaloj askënd të veprojë me kokën e vet, por, duke qenë se këtu në këtë dritare jemi ende një skuadër – dhe unë dua që kështu të mbetemi – do të këshilloja që të mos i hyhet asaj rruge. Sepse, së pari, humbja e një gare s’duhet të bëhet shkak për të humbur edhe fytyrën, kur në fakt nuk ka asnjë shans, zero, që me gjithë ata sy mbi ekrane, të ketë devijime vote në përmasa që do ta mbushnin hendekun e kujtdoqoftë me ata që kanë dalë fitues – jo me 10 a 20, por me shumë më tepër vota diferencë nga pasuesit në klasifikim.

Së dyti, kjo do të thotë të hidhet hije mbi njerëzit tanë, që kanë qëndruar pafundësisht nëpër tryeza numërimi, e që nuk e meritojnë kurrkund një hije të tillë dyshimi për kontributin e tyre të madh.

E së fundi, përfytyrojeni vetë se sa keq do të ndjehet kushdo që do t’i hyjë kësaj rruge, duke ushqyer qenerinë mediatike, kur në fund, mali i mbarsur mund të mos pjellë as një mi!

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us