“Eagles Villas” në Theth nuk janë më që prej ditës së djeshme, por turistët e huaj që nuk janë të përditësuar me lajmet në Shqipëri vazhdojnë dhe bëjnë rrugën “kot” deri në Malësinë e veriut të vendit. Një turist nga Jemeni kishte rezervuar dy netë në kompleksin me konternierë, në pronësi të të kërkuarit nga SPAK, Prekë Kodra, nuk e priti mirë lajmin se vendi ku ai duhet të pushonte ishte shembur dhe thjesht nuk ekzistonte më.
I pyetur nga gazetari i Report Tv, Ergys Kavaja, ai tregon se ka prenotuar bashkë me familjen duke mos e fshehur në asnjë moment zhgënjimin e tij.
“Vij nga Jemeni. Po, kam prenotuar (tregon në telefon prenotimin në kompleksin e Eagles Villas Theth). Nuk e di ku të shkoj tani, nuk e di çfarë të bëj, jam me familjen time. Nuk është mirë për vendin tuaj, nuk është mirë për njerëzit që e vizitojnë. Unë vij në vendin tuaj që të jem i lumtur. Dhe nëse vij apo shkoj diku dhe nuk e gjej aty, e shoh kështu. S’më ka thënë njeri gjë. Jam me familjen, kështu që çfarë të bëj unë tani?!,”- u shpreh ai.
Ndërkohë, edhe sot ka vijuar aksioni në Theth për prishjen e 11 objekteve të ndërtuara pa leje në “zemër” të Thethit. Aksioni do të vijojë më pas me objekte të tjera, pasi në total janë për tu shembur rreth 40 ndërtime.