Kontrolli i Lartë i Shtetit në auditin e fundit të ushtruar në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë ka konstatuar një sërë shkeljesh, ndër të cilat rikonstruksioni i një shkolle, që nuk është shtetërore e që shkel rrjedhimisht ligjin për Prokurimet Publike. Bëhet fjalë për rikonstruksionin e shkollës profesionale “Herman Gmeiner”, në pronësi të Shoqatës “SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqiptarë”. Fondi për rikonstruksionin e së cilës kap vlerën e 300 mijë eurove që kanë kaluar nga buxheti i shtetit.
Rikonstruksioni i shkollës u bë në kuadër të procesit të rindërtimit pas tërmetit fatal të 26 nëntorit të viti 2019. Por sipas KLSH, referuar procesverbaleve të Institutit të Ndërtimit, nuk ka një vendim përfundimtar, por vetëm akt konstatime dhe me qëllim përmirësimin e kushteve, bazuar dhe në kontratën e huapërdorjes.

“Referuar neneve përkatëse të kontratës, nga huapërdoruesi do të kryhen vetëm shpenzimet e mirëmbajtjes dhe jo të rikonstruksionit, duke rënduar buxhetin e shtetit në shumën 31,960,919.3 lekë, veprime këto në kundërshtim me ligjin nr. 162, datë 23.12.2020 “Për prokurimin publik” neni 2, pika b), dh), neni 4, pika 37, si dhe me ligjin nr. 10296, datë 08.07.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, i ndryshuar, neni 9”, thotë KLSH”
Po ashtu auditi i Kontrollit të lartë të Shtetit, ka konstatuar se gjatë procesit të përzgjedhjes së operatorëve ekonomik është bërë skualifikimi nga gara i operatorit me ofertën më ekonomike. Kjo i ka shkaktuar buxhetit të shtetit dëm ekonomik.
Pas kësaj Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kërkuar ministrisë së Financave shkarkimin nga detyra të Drejtoreshës së Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit, Mimoza Dhëmbi. Po ashtu është kërkuar masë disiplinore dhe për katër zyrtarë të tjerë.


“Ka pasur problematika në drejtim të mos respektimit të disiplinës fiskale, konstatuar kjo në të gjitha fazat e planifikimit, ekzekutimit dhe raportimit të buxhetit, në kundërshtim me kërkesat e LOB-it, që konsistojnë në: rialokime për projektet e investimeve me financim të brendshëm pa respektuar radhën prioritare në buxhetim, keqklasifikimin e investimeve, krijimin e kushteve për marrjen e angazhimeve pa fonde buxhetore, problematika në lidhje me procesin e detajimit të fondeve për rindërtimin, detajimin e projekteve të investimeve publike me akt normativ pa kaluar në PBA, shkurtimin e fondeve të investimit në momentin e lidhjes së kontratës dhe rialokimin e këtyre fondeve drejt projekteve me detyrime të prapambetura”, shprehet KLSH./ZËRI