Është duke u mbajtur mes debateve seanca e sotme në Kuvend, ku deputetët e opozitës kanë kërkuar që në rendin e ditës së nesërme, të futet dhe raportimi i kreut të KLSH, që sipas tyre është i vetmi institucion që ka kryer hetime dhe ka gjetur shkelje në punën e qeverisë. I pari që ngriti shqetësimin për thirrjen e Arben Shehut në Komision ishte kreu i grupit parlamentar në PD, Gazment Bardhi, i cili u kundërshtua nga Eduard Shalsi, që ka qenë dhe një nga deputetët më të zellshëm në kundërshtimin e kreut të KLSH-së, edhe gjatë fazës që ai ka raportuar në Komisione.
“Në mënyrë të pa shpjegueshme ju nuk keni përfshirë as sot as nesër raportimin të një institucioni kushtetues, KLSH. Madje ka ndodhur e duhet ta dënojmë një praktikë të tillë në komisionin e ekonomikë, KLSH u vu përballë një situate të pandodhur, ku një rast specifik i një rekomandimi të lëshuar nga KLSH është tentuar të ballafaqohet një nënpunëse publike me KLSH.
Praktikë e tillë nuk ka ndodhur më parë dhe është shkelje e hapur e pavarësisë së KLSH. E kuptoj që veprimtaria e KLSH mund të ketë shqetësuar shumë kolegë në sallë. Komisioni i Ekonomisë duhet të mblidhet sot, të miratojë draft rezoluta dhe KLSH duhet të thirret nesër të raportojë. Ju zonja kryetare keni shkelur çdo afat sepse është detyra juaj që kalendari të zbatohet nga komisionet. Mundësoni që sot të mblidhet komisioni i Ekonomisë dhe nesër në rend dite të përfshihet raportimi i KLSH”, tha Bardhi, ndërsa sipas Shalsit, socialistët kanë ende pyetje që nuk kanë marrë përgjigje nga kreu i KLSH-së.
“Këtij nuk mund t’i thuash as grup. Shpresoj që zoti Bardhi të jetë i iluminuar për nënkomisionin që u miratuar, pasi një anëtar dha dorëheqjen, pasi kishim rënë dakord. Zoti Bardhi duhet t’i kërkojë ndjesë partnerëve ndërkombëtarë që kanë ndihmuar me ekspertizën e tyre. Po çke mo burrë? Të lashë të flisje. Sa zakon të keq e ke këtë që nuk duroni dot. Bëre një konstatim, por më lër të mbaroj”, tha Shalsi, ndërsa Bardhi e kundërshtonte nga vendi.
“Të paaftë për t’u ballafaquar me argumente. Të paktën të merreni vesh me njëri-tjetrin. Do të kishit kuptuar që në komisionin e Ekonomisë dhe Financave, një zonjë me emrin Mimoza Dhëmbi, që ka ndryshuar 16 ministra, drejtoresha e Buxhetit, për të cilën KLSH ka kërkuar shkarkim nga detyra, por duhet të sqarojë se pse. Është precedent i ri. Skandali i Onkologjikut është ende pa përgjigje, nëse ka kallëzim për këtë çështje. S’kemi përgjigje nga KLSH. Po hua përsëris; nuk ka nevojë KLSH për avokatinë tuaj”, vijoi Shalsi.
Gati njëzëri të gjithë deputetët e opozitës kërkuan që raportimi i kreut të KLSH-së të futet në rendin e ditës së nesërme, ndërkohë që një tjetër socialist që u përfshi në replika ishte Erion Braçe.
“Se kuptoj këtë shqetësim që ngrihet në nivel politik në Kuvend. Seanca e raportimit të kryetarit të KLSH që ka brenda, pyetje, e diskutime. Kryetari i KLSH nuk ka shprehur asnjë shqetësim në raportim me punën e Komisionit të Ekonomisë. Kjo nuk është e parë që ndodh kështu. Në këtë sallë kemi ish-kryetarin e KLSH, por që nuk ndodhet sot. Këtu nuk ka më dëshmitarë të atij komisioni, pasi i kanë fshirë të gjithë. Ish-kryetarin e KLSH e fshinë shpejt dhe atë. Pse ka shqetësim nga ky proces. KLSH nuk është gjykatë dhe Prokurori, por auditues i jashtëm suprem i Republikës së Shqipërisë. Ata janë palë, siç është palë komisioni i Ekonomisë. Ndaj KLSH i drejtohet prokurorisë me kallëzim, siç i drejtohen të tjerët gjykatës. Mos mbivlerësoni institucionet dhe mos krijoni mbikompetenca. Për replikë, meqë ai zotëria atje në fund nuk kupton asgjë. KLSH është institucion unilateral, ku kryetari ka mandat 7-vjeçar. S’ka ndodh ndonjëherë që të shkarkojë maxhoranca kryetarin e KLSH. Unë nuk jam i pakënaqur nga veprimtaria e KLSH. S’ka asnjë qëllim që të kapim KLSH. Por puna duhet bërë!”,deklaroi Braçe gjatë fjalës së tij.