Konferenca për Ukrainën në Romë, Rama: Evropa ka nevojë për një plan të guximshëm për paqen! Do të jemi krah Kievit sa herë të ketë nevojë

Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim të shkurtër, gjatë konferencës ndërkombëtare për rindërtimin e Ukrainës që u zhvillua në Romë. Ai theksoi se Shqipëria, megjithëse një vend i vogël me burime të kufizuara, ka qenë dhe do të jetë krah Italisë dhe partnerëve evropianë në mbështetje të Ukrainës, sa herë që ajo ka nevojë.

Rama vlerësoi Italinë si një vend ku edhe truprojat ndihen të panevojshme, ndërsa shtoi me humor se kishte premtuar të fliste shkurt për të dhënë shembullin e një udhëheqësi që di të kursejë fjalët.

Rama bëri thirrje që, krahas mbështetjes për rindërtimin dhe mbrojtjen e Ukrainës, Europa të mos e lërë paqen në “rresht të dytë” të mendimeve dhe veprimeve të saj. Ai paralajmëroi se fjalën “paqe” nuk duhet ta përvetësojnë vendet jashtë kufijve të Europës demokratike dhe as të përdoret për të ndarë shoqëritë brenda kontinentit.

Kryeministri shqiptar theksoi se Ukraina nuk është agresori në këtë luftë dhe se Evropa nuk është një komunitet luftënxitës. Megjithatë, sipas tij, as dëshira për paqe dhe as fjalët nuk mjaftojnë për të ndalur luftën, nëse nuk ekziston një plan i qartë, i guximshëm dhe irrealisht tërheqës për të ardhmen e paqes në Evropë.

“Paqja është e vetmja e ardhme për të cilën mund të flasë Europa,” përmbylli Rama, duke rikujtuar fjalët e Papa Françeskut se paqja nuk është çështje e së shkuarës, por rruga drejt së ardhmes.

Fjalimi i Ramës:

Premtova që do të flas në mënyrë të pazakontë shkurt. Motra ime e dashur Giorgia, i kujtoi të gjithëve sot që të gjitha rrugët të çojnë në Romë!

Lajme të tjera |  “Koktej” kullash me ngjyra-ngjyra, PROJEKTI si do të transformohet bregdeti i Vlorës!

I dashur Antonio, ka qenë një përvojë e shkëlqyer udhëkryqi gëzimplotë, kaotik dhe i paqtë për t’i treguar të gjithëve se nuk ka një vend më të sigurt se Italia ku të gjithë divizionet e sigurisë dhe të protokollit janë të pakuptimta.

Dhe jam i sigurt që edhe Volodymyr e ka shijuar morinë e humanizmit në Nuvola ku të gjithë truprojat e tij, për herë të parë që prej luftës janë ndjerë të padobishëm.

Çfarë të them, Shqipëria është një vend i vogël, me burime modeste. Ajo nuk ka fuqi për të ndryshuar shumë në fushë-betejë, por kemi qenë dhe do të jemi së bashku me Italinë dhe me miqtë e partnerët europianë kudo e kurdo që Ukraina do të ketë nevojë për ne të jemi.

Duke qenë se na u tha të flisnim vetëm 3 minuta dhe unë dua të udhëheq në fund të fundit përmes shembullit, dua vetëm të them që kushdo foli përpara meje, e kushdo do të flasë pas meje, ka thënë e do të thotë mjaftueshëm që unë të mos mund të shtoj diçka me interes që ju të shpenzoni kohën.

Megjithatë dua të ndaj me ju në këtë qytet që jo shumë kohë më parë i dha lamtumirën një njeriu të madh paqeje, që quhej Papa Françesku, që ndërkohë që mbështesim Ukrainën të luftojë e po kështu të rindërtohet, ne duhet të bëjmë maksimumin që të mos e lëmë paqen në rreshtin e dytë të mendimeve tona. Nuk duhet ta lëmë fjalën “paqe” të ndajë më tej shoqëritë tona demokratike e të tjetërsojë pjesë të tjera të shoqërisë sonë e të mbjellë mosmarrëveshje midis shoqërive tona.

Lajme të tjera |  Ndërtimet pa leje/ Shkarkohen nga detyra Drejtori i Policisë Shkodër

Nuk duhet të lëmë askund po kështu, jashtë kufijve të Europës demokratike të na japë leksione ne, Komunitetit Europian se çfarë është paqja e lufta e si tingëllon kjo paqe. Ne nuk jemi komunitet luftënxitës dhe Ukraina nuk është agresori e as autori i kësaj lufte të përgjakshme në dyert e Europës, ditë e natë. Askush nuk ka një formulë magjike sigurisht, e unë aq më pak. Të flasësh për paqen nuk e ndal luftën e as nuk e bën Vladimir Putinin një paqedashës.

Sidoqoftë, dua ta përmbyll duke ndarë me ju bindjen se ndërkohë që po bëjmë të gjitha gjërat e duhura për të mos ta lënë në baltë Ukrainën, ne nuk do të jemi të fortë mjaftueshëm për t’i dhënë fund kësaj lufte, për të shpëtuar Ukrainën në qoftë se nuk kemi plan tonin të fuqishëm, kurajoz e tërheqës për paqen. Paqja është e vetmja e ardhme për të cilën mund të flasë Europa.
E ashtu siç tha dikur Papa i ndjerë Françesku në Romë, ndjej praninë jo të së shkuarës, por të së ardhmes. Faleminderit!

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us