Konflikti Izrael-Iran, Trump bisedë 50 minutëshe në telefon me Putin. Kina paralajmëron Izraelin

Donald Trump dhe Vladimir Putin kanë diskutuar për përshkallëzimin e tensioneve mes Iranit dhe Izraelit në një bisedë telefonike këtë të shtunë.

Lajmi bëhet i ditur nga mediat ruse, të cilat citojnë Yuri Ushakovin, këshilltarin kryesor për politikën e jashtme në Kremlin.

Ushakov deklaroi se Putin ka dënuar sulmet izraelite ndaj Iranit dhe se dy liderët nuk e kanë përjashtuar mundësinë e rikthimit në diskutime mbi programin bërthamor të Iranit.

Ai gjithashtu tha se Putin ka konfirmuar gatishmërinë e Rusisë për të vazhduar negociatat me Ukrainën.

Sipas asaj që shkruan Sky News, dy presidentët folën për rreth 50 minuta. Ushakov e përshkroi bisedën si domethënëse dhe të dobishme.

Gjatë telefonatës, Putini e informoi Trumpin mbi përmbajtjen e bisedimeve të tij me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentin iranian Masud Pezeshkian.

Presidenti i Kremlinit tha se ishte gati të ndërmjetësonte midis Iranit dhe Izraelit.

Ndërsa Kina i ka bërë thirrje Izraelit të ndalojë veprimet ushtarake ndaj Iranit, duke paralajmëruar se konflikti në rritje midis dy rivalëve në Lindjen e Mesme mund të ketë “pasoja serioze”.

Lajme të tjera |  SHBA planifikon të fusë në "listën e zezë" të ndalimit të udhëtimeve edhe 36 shtete të tjera

Fu Cong, ambasadori i Kinës në Kombet e Bashkuara, u shpreh në një mbledhje emergjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së se tensionet në rritje në rajon nuk u shërbejnë interesave të asnjë partie.

Edhe Ministri i Jashtëm Wang Yi, në një telefonatë me homologun e tij izraelit Gideon Sa’ar, tha se Pekini “kundërshton shkeljen e ligjit ndërkombëtar nga Izraeli dhe përdorimin e forcës për të sulmuar Iranin”.

“Kina dënon veprimet e Izraelit që shkelin sovranitetin, sigurinë dhe integritetin territorial të Iranit, kundërshton përshkallëzimin e tensioneve dhe zgjerimin e konfliktit, dhe shpreh shqetësim të thellë për pasojat serioze që këto veprime mund të sjellin.”

Në reagimet e tyre, ata theksojnë se Kina ka qenë gjithmonë e angazhuar për zgjidhjen paqësore të çështjes bërthamore iraniane përmes dialogut dhe negociatave, dhe kundërshton përdorimin e sulmeve të armatosura.

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme, Lin Jian, bëri thirrje që palët të “zgjidhnin veprime që kontribuojnë në paqen dhe stabilitetin e rajonit” dhe theksoi se Kina është gati të luajë një rol konstruktiv për të ndihmuar në qetësimin e situatës.

Lajme të tjera |  “Në PD janë barngrënës, si SMT e kooperativave”, Agron Tufa: Berisha duhet të hapë rrugë, kupola e padurueshme

Shtetet në të gjithë Lindjen e Mesme kanë dënuar sulmet e Izraelit ndaj Iranit, duke bërë thirrje për uljen e tensioneve në mes të frikës për një luftë më të gjerë. Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump e quajti sulmin “një sulm shumë të suksesshëm” dhe i bëri thirrje Iranit të arrijë një marrëveshje me Izraelin “para se të jetë vonë”.

Në një postim në rrjetet sociale të shtunën, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se kishte pasur “mjaft përshkallëzim” nga të dyja palët.

“Është koha të ndalet,” tha ai. “Paqja dhe diplomacia duhet të mbizotërojnë.”

Pas sulmeve izraelite, të cilat u kryen ndërsa SHBA dhe Irani ishin gati të fillonin raundin e gjashtë të negociatave mbi aktivitetet bërthamore iraniane, Teherani deklaroi se dialogu me SHBA-në ishte “pa kuptim” dhe akuzoi Uashingtonin për mbështetje të sulmit.

Por Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u përpoq të distancohej nga sulmi, duke thënë Uashingtoni “nuk ishte i përfshirë” në sulme.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us