Partia Socialiste ka mbledhur Kongresin, organin më të lartë vendimmarrës. Në ditën e Rinisë, socialistët janë mbledhur në Pallatin e Kongreseve nga ku do të prezantohet projekti i transformimit të partisë, arritjet dhe synimet për mandatin e katërt. Kryesocialisti Edi Rama u shfaq në krah të Gramoz Ruçit.
Punimet e kongresit nisën rreth orës 11:30 dhe do të jenë të ndarë në 6 panele: Reforma në Drejtësi dhe Lufta kundër Korrupsionit, Prioritetet zhvillimore, Qeverisja Vendore, Siguria dhe Shqipëria në botë si dhe Partia Socialiste 2030. Socialistët do t’i drejtohen Kongresit të 8 dhjetorit, me një objekiv të qartë: Ambicien për mandatin e katërt në 2025, në të cilin kundërshtar nuk duket të kenë vetëm opozitën.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali në fjalën e saj para delegatëve tha se sfida e PS është fitorja e njëpasnjëshme e betejave. Për të arritur këtë, Spiropali tha se mbetet sfidë reforma në parti, qeveri, e administratë.
“Ndryshe prej tyre ne kemi lirinë për tu ndryshuar, korrigjuar, mësuar nga gabimet. Ata mbeten viktima të gabimeve të përsëritura. Asnjë lider tjetër sa Rama dhe organizatë tjetër politike nuk është treguar kaq e aftë dhe kaq këmbëngulëse në praktikën e vetëkorrigjimit. Sfida ynë është tërësi betejash të përditshme, të fitohen në mënyrë të njëpasnjëshme. Kjo sfidë kërkon reforma e vazhdueshme, në parti, qeveri e administratë. Një proces që duhej të ndodhte dje, siç ka ndodhur, dhe duhet të ndodhë është nesër, edhe më fort”, tha Spiropali.