Konstituohet Komisioni për “TIMS”/ PD: Rama, Nano, Veliu, si dëshmitarë. PS: Marrim edhe Berishën me Bashën

Nisi sot mbledhja e Komisionit Hetimor për rrjedhjen e të dhënave të TIMS. Në mbledhjen e sotme u konsituua Komisioni i Posaçëm Hetimor, i cili do të shqyrtojë “rrjedhjen” e të dhënave të sistemit TIMS. Në nisje të mbledhjes, me të gjitha votat u caktua si sekretar i Komisionit, Xhemal Qefalia, ndërsa zv.kryetar është Toni Gogu. Më pas, kreu i Komisionit për ndërhyrjet në sistemin TIMS, Ervin Salianji, ka zbardhur emrat e personave që do të thirren për të dëshmuar, mes tyre kryeministri Edi Rama, por jo vetëm. Në Komision, deri më 5 qershor duhet të jenë pyetur edhe ishdrejtues të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe disa ministra të Brendshëm.

“Do thërrasim dëshmitarë: kryeministrin Edi Rama, Taulant Balla, Florjan Sulejmani, Bledar Çuçi, Gledis Nano, Ardi Veliu, Muhamet Rrumbullaku, Zef Laska, Neritan Nallbati, Dorian Tola, Ervin Muça, Ervin Agjana, Besian Tanuzi, Enri Ndoni, Ardit Muça, Elona Gogo, Eraldin Ndreca, Enkli Hoxha, Ergis Hidri, Jubica Dervishaj, Xhuljeta Çollaku, Arbana Vrapi, Arben Babaj. Persona të tjerë që ka dyshime se kanë marrë pjesë në këtë operacion janë, ndaj edhe mund të merren në pyetje: Elvis Hysi dhe Ermal Beqiri kompania Soft, Nevila Xoxa, kompania Horizont,”-tha në fjalën e tij Salianji. Duke qenë se Salianji ka listuar edhe disa ish-zyrtarë, me ironi deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti tha se me këtë logjikë për të dëshmuar duhen thirrur edhe Sali Berisha, pasi ka mbajtur postin e kryeministrit dhe Lulzim Basha, pasi ka qenë ministër i Brendshëm.

Përveç rrjedhjes së të dhënave të TIMS, Salianji deklaroi se do të kërkohet hetim për të ashtuquajturit “patronazhistë“, pra listën me të dhënat e qytetarëve, e cila qarkulloi kudo në rrjet disa vite më parë.

Lajme të tjera |  "Blindohen" burgjet për zgjedhje, mbi 3 mijë të dënuar me të drejtë vote

“Do hetohet sistemi për patronazhistët e Partisë Socialiste. Dolën të dhënat e mbi 900 mijë qytetarëve të Tiranës. Do hetohen listat e pagave për më shumë se 600 mijë qytetarë. Dolën të dhënat e automjeteve dhe bankave. U ndërhy në TIMS, ndaj edhe do kërkohet informacione dhe dokumente nga Kryeministria, Ministria e Brendshme, SHISH, SPAK, dhe trupat diplomatike. Do nxjerrim para përgjegjësisë të gjithë shkelësit,”- tha Salianji.

Pas përfundimit të fjalës së Salianjit, nënkryetari i Komisionit Hetimor Toni Gogu tha e rëndësishme është që në Komision të ruhet prezumimi i pafajësisë dhe çdo pretendim të mbështetet me prova. Ndaj, sërish me ironi, kërkoi që të vijë si dëshmitar edhe GazmentBardhi me pretendimin se ka prova për këtë çështje.

DEBATI MES TYRE: 

Toni Gogu: Në planin paraprak nuk ka asnjë provë. Ka shumë emra aty, por gjithmonë nëse doni mund të shtojmë dhe Bardhin sepse ka informacion për rrjedhjen e të dhënave.

Salianji: E kuptoj shqetësimin tuaj, kuptoj se kujt nga ky hetim i djeg marmita, duhet të përgatitet mirë. Për të shtuar personat në listë, jemi të hapur. Jo vetëm për personat që kanë denoncuar i Bardhi, por edhe për ata që janë të akuzuar. Të gjithë personat thirrur janë persona që kanë lidhje me ngjarjet. Nuk e di pse përmendja e emrave ju shqetësoi. Përgjegjësit nuk do të shpëtojnë pasi kanë bërë një ndërhyrje që vetëm sa u ka shërbyer grupeve kriminale. Ja këtu do të jemi dhe do e shihni sesi janë të gjithë të përfshirë. Nuk dua të them spektakël, sepse është spektakël i zi në fakt, është një ngjarje e keqe për Shqipërinë, por do shikoni përfshirjen deri në çfarë niveli ka ndodhur në këtë vend.

Toni Gogu: Spektaklin shqiptarët e shohin në darkë me Big Brother, jo këtu në Kuvend.  Ne nuk jemi këtu për të bërë spektakël, spektakël bëhet në ‘Big Brother’, ndërsa në Parlament zbatohet ligji deri sa ne të mërzitemi. Ne nuk sillemi si Fiona te Shreku që një mëngjes të themi shiko sa mirë SPAK-u dhe në mbrëmje, në rrugicë të shpërfytyruar, të thoni ja SPAK-u i partisë. Nga agimi në muzg mburret SPAK-u dhe nga muzgu në agim mallkohet SPAK-u.

SalianjiJu qeverisjen e keni si fytyra e Shrekut. 

Pas replikave, mbledhja u mbyll për të nisur një ditë tjetër. Pyetja e dëshmitarëve do të bëhet brenda datës 5 qershor 2024, ndërsa të gjitha propozimet e komisionit do të prezantohen më 15 korrik.

Lajme të tjera |  LaCivita flet me shifra: Mendoj që sonte ishin 20 mijë persona në mbështetje të Berishës

Sulmi i ndodhur në 2022 ndaj sistemit TIMS është marrë përsipër nga një grup i identifikuar si Homeland Justice, i cili, sipas qeverisë shqiptare është i financuar nga Irani. Pikërisht për këto sulme, jo vetëm ndaj TIMS por edhe institucioneve të tjera, kryeministri Edi Rama deklaroi ndërprerjen e marrëdhëneve me Republikën Islamike të Iranit. Pas sulmeve kompania Microsoft që mori pjesë në hetimin e ngjarjes tha se të gjitha zbulimet e saj ishin të lidhura me Iranin./ ZERI/

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us