Situata e trajnerëve në Itali është shumë interesante. Sipas asaj që raporton Gazzetta dello Sport, De Laurentis dje ka bërë një operacion atipik për të joshur Konten. Ai ka premtuar merkato të niveleve Botërore. Pas firmës së Kevin De Brujens, në takimin e djeshëm mes Kontes, përfaqësuesve të tij dhe drejtuesve të klubit, De Laurentis ka prezantuar si të mirëqenë edhe firmën e një ndër anësorëve më të kërkuar të Evropës, Xhonatan Dejvidin e Lilës.
Euforia e titullit, tifozeria napoletane dhe kushtet e reja të De Laurentisit, e shtynë Konten të kërkojë më shumë kohë për t’u menduar. Nga ana tjetër, nëse Konte vendos të largohet, Masimiliano Alegri është gati t’i thotë “Po” projektit të kaltër. Mirëpo pritja e tij e ka një limit kohor, pasi me ardhjen e Tares te Milani ai ka edhe opsionin Milan dhe do t’i pëlqente të punonte nga themelet edhe me projektin e ri kuqezi.
Nëse Konte ka kërkuar kohë dhe Alegri po mban sytë nga Napoli, Milani po e pret Alegrin, ndërsa Juventusi, siç tashmë dihet, pret me shumë dëshirë rikthimin e Kontes në Torino. Mbetet për t’u parë. Merkatoja e trajnerëve në Itali duket për herë të parë po aq interesante sa ajo e lojtarëve.