Nga Andrea Dudik & Misha Savic “Bloomberg”
Në fillim të këtij vitit, presidenti serb Aleksandar Vucic bëri shaka me mënyrën se si e sheh gjendjen e sërbëve të cilët ai po i udhëheq prej gati një dekade: “Njerëzit po lodhen me mua”. Ish-ministri i Informacionit për udhëheqësin e dikurshëm autoritar jugosllav Slobodan Miloshevic, po e drejton partinë e tij në zgjedhjet parlamentare të së dielës duke u thënë votuesve se ky do të jetë akti i tij i fundit. Propozimi i fundit Vucic drejtuar serbëve është që ta lënë atë të tërhiqet, pasi u përpoq t`i jepte fund luftës së fundit ballkanike dhe ta çonte vendi në prag të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Sondazhet tregojnë se aleati i dikurshëm 53-vjeçar i Vladimir Putinit, po shkon sërish drejt një fitoreje të lehtë. Vucic mbetet politikani më popullor i në Serbi, dhe Partia e tij Progresiste është shumë përpara. Por ajo që do të jetë me siguri më pak e lehtë, është mënyra se si ai do të arrijë të lërë trashëgiminë që dëshiron si njeriu që e rindërtoi Serbinë.
Sjellja tradicionale e balancuar midis Lindjes dhe Perëndimit që ka ndjekur prej kohësh Serbia, u nxor jashtë loje nga pushtimi rus i Ukrainës në fillim të vitit të kaluar, teksa vendi nuk është ende pranë normalizimit të raporteve me Kosovën, një parakusht i anëtarësimit në BE për të dyja vendet.
Ndërkohë kritikët thonë se një tipar dallues i fuqisë së Vucic ka qenë shtypja e opozitës, e lirisë së medias, dhe akuzat për nepotizëm. Vucic dhe partia e tij po u kujtojnë serbëve se nuk kanë qenë më mirë ekonomikisht që nga shembja e Jugosllavisë.
Kjo ka ndodhur pjesërisht për shkak të marrëveshjeve të biznesit që ai ka nënshkruar me Kinën, Lindjen e Mesme dhe Rusinë, së bashku me vendet e BE-së që kolektivisht kanë qenë burimi më i madh i investimeve dhe subvencione. Aktualisht dy kompanitë më të mëdha eksportuese në Serbi tani janë kineze.
Ndërkohë një kompani tjetër kineze po ndërton një pjesë të linjës hekurudhore midis Beogradit dhe Budapestit, një nga projektet më ambicioze të rajonit. Presidenti Vucic, që u rizgjodh në krye të detyrës vitin e kaluar me një diferencë të madhe me rivalët, krenohet se ka sjellë vite të tëra stabiliteti për ekonominë, dhe se e ka përmirësuar imazhin e një shteti që në vitet 1990 ishte nën sanksionet ndërkombëtare.
Që kur u ngjit në pushtet në vitin 2014, fillimisht si kryeministër, Prodhimi i Brendshëm Bruto i Serbisë është dyfishuar, i nxitur nga projektet e mëdha të infrastrukturës. Midis 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor që kërkojnë anëtarësimin në BE, Serbia tërheq aktualisht 2/3 e të gjitha investimeve të huaja direkte.
Shkalla e papunësisë ka rënë në vetëm 9 për qind, nga 25 për qind që ishte me herët. Njerëzit e kanë ndjerë përmirësimin e ekonomisë në xhepat e tyre, teksa Vucic i ka përdorur vazhdimisht fondet shtetërore për të pasuruar votuesit e tij.
Paga mesatare mujore gati është dyfishuar, duke arritur në rreth 800 dollarë. Vucic premton ta rrisë në 1500 dollarë deri në vitin 2027, vit kur edhe i mbaron mandati aktual presidencial. Milan Staniç, një fermer 56-vjeçar, i përdori subvencionet e qeverisë për të 3-fishuar sipërfaqen e arës së tij me mollë në periferinë veriore të kryeqytetit serb.
“Unë jam brezi i tretë i fermerëve në familjen time, dhe nuk kemi pasur kurrë kaq shumë mbështetje nga shteti”- u shpreh ai pas nënshkrimit të një kontrate për të eksportuar mollët në Lindjen e Mesme dhe Azi. Megjithatë, kundërshtarët e Vucic thonë se ai po e drejton vendin më shumë si një çiflig të tijin personal, se sa si një anëtar i mundshëm i BE-së.
Ata thonë se projektet në infrastrukturë janë financuar përmes huave të shumta, në një kohë që projekte si një kompleks i madh banim buzë lumit Sava në Beograd ka shkaktuar shumë debate. Nga ana e tij Vucic e hedh poshtë këtë akuzë duke thënë se borxhi publik mbetet nën nivelin 60 për qind të PBB-së, dhe se edhe kundërshtarët e tij e politikë kanë blerë apartamente në kompleksin buzë lumit.
Dhjetëra mijëra protestues e akuzuan presidentin për kultivimin e “kulturës së dhunës” pas 2 ngjarjeve të renda në maj, kur persona të armatosur vranë 19 njerëz në 2 masakra të ndodhura brenda 3 ditësh. Që nga ajo kohë blloku liberal pro-perëndimor, ka mbajtur protesta të përjavshme kundër autoriteteve, të cilat Vucic i ka cilësuar si përpjekje për të shfrytëzuar politikisht ngjarjet tragjike.
Por gradualisht ato janë zbehur. Ndërkohë presidenti serb ka përpara sfidën ndoshta më të vështirë: e ardhmja e raporteve me Kosovën, shteti që shpalli pavarësinë në vitin 2008, por që Serbia vazhdon ta konsiderojë si zemrën e saj historike.
Ndërsa është kritikuar nga BE dhe SHBA për zvarritjen e qëllimshme të bisedimeve për përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën, fakti që mbetet i angazhuar në to e vendos Vucic në një pozicion të pasigurt brenda vendit.
Shumica e partive politike nuk duan që Serbia ta njohë ndonjëherë pavarësinë e Kosovës, prandaj ashtu si me investimet në ekonomi, ai duhet të kërkojë konsensus. Njëri prej tyre është ai me ish-mentorin e tij Vojislav Sheshelj, liderin e Partisë Radikale të ekstremit të djathtë, që u padit për krime lufte nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë.
Radikalët mund të ndihmojnë ekipin e Vucic të qëndrojë në pushtet në Bashkinë e Beogradit, ku do të zhvillohen zgjedhjet lokale në të njëjtën ditë me ato parlamentare. Në një intervistë dhënë muajin e kaluar, Sheshelj e përmblodhi kështu sfidën që ka përpara Vucic. “Askush nuk do të na detyrojë të pranojmë ndonjëherë pavarësinë e Kosovës. Çdo qeveri që do ta bënte këtë, do të rrëzohej menjëherë”- tha ai. Ndërkohë, liderët e dy grupeve më të mëdha opozitare të krahut të djathtë thonë se Vucic po tregohet shumë i butë në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja me Prishtinën.
Megjithatë, partia e Vucic është shumë përpara. Sipas sondazheve ajo ka rreth 44 për qind të votave, ndërsa aleatët e tij socialistë, të cilët garojnë veçmas, pritet të marrin rreth 10 për qind të votave, duke iu dhënë atyre një shumicë të fortë.
Ndërkohë presidenti premton të mos e ndryshojë kushtetutën, për të pasur mundësi të garojë sërish edhe pas vitit 2027, megjithëse i ka mbushur institucionet kryesore me aleatë që do të vazhdojnë ta drejtojnë më tej Serbinë. Këto përfshihen kryeministrja Ana Brnabic, Guvernatori i Bankës Qendrore dhe Ministrin i tij i Mbrojtjes, që ka marrë drejtimin e Partisë Progresive.
“Mandati i ri duhet të na sjellë në pikën pa kthim në raport me të kaluarën”- tha Vucic në një intervistë të kohëve fundit për televizionin TV Prva. Dhe kur Serbia të mbërrijë në atë pikë, Vucic gati 2 metra i gjatë, thotë se pasi të përfundojë mandatin e tij të fundit do të stërvitet për t’u bërë trajner basketbolli.