Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, ka urdhëruar Lulzim Bashën të heqë simbolet e Partisë Demokratike nga ambientet private që ai përdor. Bëhet fjalë për një ambient privat në Njësinë 8 në Tiranë. Partia Demokratike depozitoi pranë KQZ-së kërkesën për heqjen e logove në ambientin privat, selinë e përkohshme që u mor nga Lulzim Basha kur ishte në krye të PD. Celibashi deklaroi se për zbatimin e tij do të ngarkohet Policia Bashkiake dhe ajo e Shtetit dhe se do të caktohet një afat për ekzekutimin e këtij urdhri.
“Dakord me kërkesën e bërë nga subjekti zgjedhor PD për t’u hequr këto simbole nga ambientet private dhe për zbatimin e këtij vendimi do të ngarkohet policia bashkiake dhe ajo e shtetit. Do të caktojmë edhe një afat në lidhje me zbatimin e këtij vendimi”, u shpreh Celibashi.
Urdhëri nga KQZ vjen pasi Partia Demokratike i ka dërguar një tjetër kërkesë institucionit duke i kërkuar të marrë masa, për praninë e simboleve të tyre të vjetra në një subjekt privat. Ata kërkojnë heqjen e logove, të cilat sipas tyre dëmtojnë interesat e PD-së përpara zgjedhjeve të 11 majit.
Çfarë ndodhi me vulën e PD-së?
Pas një përplasje 3-vjeçare në kampin opozitar, në Qershor të këtij viti, Gjykata e Apelit vendosi se kryetari legjitim i PD-së është ish-kryeministri Berisha. Ky i fundit u rikthye fuqishëm në politikë pas vendimit të Lulzim Bashës për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar i PD-së në 2021-in. Pas një sërë kuvendesh dhe referendumeve të organizuara nga mbështetësit e Berishës, në dhjetor të vitit 2021, u deklarua përmbysja e vendimeve të Bashës dhe zgjedhja e Berishës si lider i PD-së. Ky vendim u sfidua në gjykatë nga palët rivale, duke rezultuar në një betejë të gjatë ligjore për vulën dhe drejtimin zyrtar të partisë. Vendimi i fundit nga Gjykata e Tiranës, i reflektuar në dokumentin e firmosur nga sekretarja e regjistrit të partive politike, vulos zyrtarisht drejtimin e PD-së nga Berisha.