Kreu i SPAK Altin Dumani, ka raportuar në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit, në lidhje me punën e Prokurorisë së Posaçme vitin e fundit. Dumani tha se gjatë vitit 2023 ka pasur një rritje të pasurive që janë sekuestruar, ndërsa ngriti disa problematika dhe kërkesa në raport me Kuvendin.
Dumani kërkoi që SPAK të ketë më shumë këshilltarë, ndërsa kërkoi që statusi i prokurorëve dhe gjyqtarëve të jetë i miratuar me ligj. Nga ana tjetër, Dumani përsëriti deklaratat e tij, për një ulje të referimit të rasteve në Prokurorinë e Posaçme, nga institucionet publike, me përjashtim të policisë së shtetit, që sipas tij, vit pas viti mbeten në shifta të njëjta.
“SPAK ka rol të rëndësishëm për nxjerrjen e listës gri për 2023, në Tetor të 2023, ku një nga arsyet e këtij vendimi ishte dhe puna e SPAK. Rritet numri dhe sofistikimi i hetimit dhe sekuestrimit të parave. U rrit në mënyrë cilësore dhe lufta ndaj krimit të organizuar. Kishim kontakte dhe bashkëpunim të mirë edhe me homologët rajonalë, kemi pasur 3 skuadra të përbashkëta hetimore me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Kemi vendosur kontakte të drejpërdrejta me shumë vende të Amerikës Latine dhe Amerikës Qendrore.
SPAK në 2023 rriti numrin e cështjeve penale që kanë objekt hetimin e subjekteve të profilit të lartë ose të mesëm. Korrupsioni është një nga shqetësimet më të mëdha në vend, kemi kryer hetime për çështje të nivelit të lartë”, tha ai.