Presidenti amerikan, Donald Trump, thotë se arritja e një marrëveshjeje paqeje për luftën në Ukrainë është shumë pranë.
Trump e bëri këtë deklaratë teksa po nisej për në Itali, ku do të marrë pjesë në ceremoninë e funeralit të Papa Françeskut dhe ndërkohë që i dërguari i tij, Steve Witkoff, po takohet me Presidentin rus Vladimir Putin, në Moskë.
“Gjërat po shkojnë mirë dhe mendoj se në fund do të arrijmë shumë marrëveshje të mira, përfshi edhe marrëveshje për tarifat dhe tregtinë”, tha Trump
“Do ta pasurojmë vendin tonë, por do të përpiqemi që ta nxjerrim nga lufta dhe të mund të shpëtojmë 5000 njerëz në javë, ky është synimi im. Dua të them, 5000 djem të rinj. Shumica e tyre janë ukrainas, rusë. Janë 5000 djem të rinj ukrainas dhe rusë dhe ky do të ishte një nder i madh nëse ia dal. Mendoj se jemi shumë pranë”, shtoi Trump.
Më herët, në një intervistë për prestigjiozen “Times”, Trump theksoi se Zelenski e kupton shumë mirë se Krimea do të qëndrojë me Rusinë. Trump fajësoi paraardhësin e tij për këtë dështim.
“Më pyet nëse Krimea do të qëndrojë me Rusinë, ne po flasim për të pasi vetëm ajo po përmendet këto ditë. Kriema do të qëndrojë me Rusinë. Zelenski e kupton mjaft mirë këtë gjë dhe të gjithë e kuptojnë madje sepse gadishulli ka qenë me rusët për një kohë shumë të gjatë. Kjo ka ndodhur shumë herët para se të vinte Trump në detyrë. E përsëris se kjo ishte lufta e Obamës. Kjo ishte një luftë që nuk do të kishte ndodhur kurrë”, tha Trump.
Trump është shprehur kundër edhe idesë për anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Madje anëtarësimi në NATO shikohet edhe si një nga shkaktarët e fillimit të luftës në vitin 2022. “Unë nuk mendoj se Ukraina do të anëtarësohet ndonjëherë në NATO. Mendoj se kjo ka qenë e ditur që nga dita e parë, kjo është arsyeja, besoj, e fillimit të luftës. Nësë kjo çështje nuk do të ishte trajtuar që në fillim, do të kishim një shans më të mirë për rajonin”, shtoi ai.
Trump bëri edhe një “Mea Kulpa” kur tha se përfundimi i luftës në 24 orë është e ekzagjeruar. Ai pranoi se kjo frazë është thënë për një përfundim sa më të shpejtë të luftës. Në fund Trump gjeti kohë të lavdëronte edhe “të preferuarin e tij”, Vladimir Putin, për të cilën tha se ai është i vetmi president që mund ti japë fund luftës.