Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) shpallën sot një armëpushim humanitar prej 4 orësh në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.
“IDF po kryen pauza taktike humanitare për të lejuar civilët në Rripin e Gazës të furnizohen me ujë dhe ushqime. Sot, 25 dhjetor, u shpall një pauzë në A-Sheikh Muhammad al-Yamani West dhe Deir al-Balah midis orës 10:00 deri në orën 14:00 me orën lokale”, thuhet në deklaratën e IDF në platformën X (Twitter).
Ndërkohë, kjo ishte një Krishlindje e përgjakshme në Gaza, ku të paktën 70 persona u vranë në sulmin ajror izraelit në kampin e refugjatëve Maghazi, në lindje të Deir al-Balah.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, më shumë se 20,000 njerëz janë vrarë – kryesisht fëmijë dhe gra dhe 54,000 janë plagosur në Gaza që nga 7 tetori, kur Hamasi dhe grupet e tjera palestineze sulmuan Izraelin, duke vrarë 1200 njerëz dhe duke marrë rreth 240 pengje. Më herët të dielën, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se lufta kishte sjellë pasoja të rënda për vendin e tij./