Brenda 24 orëve të fundit kanë ndodhur një sërë emërimesh dhe shkarkimesh në Bashkinë e Tiranës. Gjithçka nisi me një vendim të datës 18 mars i nënshkruar nga paraburgimi i Durrësit nga ana e kryebashkiakut Erion Veliajt, që i heq kompetencat nënkryetares Anuela Ristani dhe emëron si kryetare të komanduar të Bashkisë Tiranë, Sara Goxhajn.
Në qarqet mediatike menjëherë u përhapën lajme që kishte një krisje mes Veliajt dhe Ramës.
Por zhurmën e ngritur ka preferuar ta zhdukë vetë Veliaj.
Në një reagim nga paraburgimi i Durrësit, Veliaj thotë se i gjithë keqkuptimi ka ndodhur ngaqë po “punon” pa informacionin e mjaftueshëm, duke qenë se është i izoluar, ndërsa thekson se “me Ramën kam vetëm mall të takohem për të folur për punët si gjithmonë dhe asgjë tjetër s’më shkon në mendje”.
Reagimi i Erion Veliajt:
U informova që paska plasur peshku në moçalet mediatike për përplasjen time me Ramën, për punë delegimesh.
E para njëherë, me Ramën kam vetëm mall të takohem për të folur për punët si gjithmonë dhe asgjë tjetër s’më shkon në mendje.
E dyta, kam firmosur një ridelegim me idenë e gabuar se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues, por kështu është kur “punon” pa informacionin e mjaftueshëm.
E fundit, kërkoni e gërmoni ku të doni tani, se u bë sport ky falë edhe prokurorit tim të dashur, por në marrëdhënien time me Ramën lodheni kot fare fare, se është plazmuar në kohëra të vjetra dhe nuk e ndryshon dot asnjë kohë, sado e mallkuar qoftë. Delegimi është rikthyer aty ku ishte dhe këtu mbyllet edhe keqkuptimi.