Në fund të takimit në prezantimin e projekteve për Shkodrën, kryeministri Edi Rama i “tërhoqi veshin” kryebashkiakut të Vau Dejës, Kristian Shkreli, lidhur me angazhimin e këtij të fundit në fushatë.
Rama iu drejtua Shkrelit me fjalët “Kristian mos më luaj me dy porta Kristian! Mos më luaj me dy porta!”.
Kristian Shkreli, kryebashkiak i Vau Dejësit i fitoi zgjedhjet 2 vite më parë si kandidat i Partisë Socialiste.
Mesazhi i Ramës mund të duket edhe si një mesazh i tërthortë për Tom Doshin, pasi edhe gjatë takimit përmbyllës elektoral në Shkodër, e “shigjetoi” duke thënë se “është një parti në këshillin bashkiak që s’po voton plazhet e Velipojës”, ndërkohë që Vau i Dejës njihet edhe si bastion i Partisë Social Demokrate.
Nga ana tjetër, Tom Doshi nuk i ka kursyer sulmet e ashpra dhe publike ndaj kryebashkiakut të Shkodrës, socialistit Benet Beci.